Takimet në 7 fshatra në Kolonjë e Korçë, Xhaçka: Nuk ka kthim pas në kujdesin tonë ndaj zonave rurale

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kandidatja e PS për qarkun e Korçës, Olta Xhaçka ka zhvilluar takime me banorë të fshatrave Panarit, Shtyllë, Prodan, Gjonç, Borovë, Dokollar të bashkive Korçë e Kolonjë.

Në Panarit, i cili ndër vite bllokohej nga bora për më shumë se 5 muaj të vjeshtës e dimrit, banorët konfirmuan se këtë dimër, falë rrugës së rehabilituar që lidh fshatin me njësinë administrative Vithkuq dhe ndërhyrjes së strukturave vendore, situata ka qenë më e përballueshme.

Xhaçka siguroi vëmendjen maksimale të qeverisë si për zonat urbane, edhe për ato rurale, veçanërisht në ato të thella, ku vit pas viti ka pasur ndërhyrje në infrastrukturë, apo në shërbimet ndaj banorëve.

“Në 2013 e gjetëm ekonominë e vendit në gjendje të mjerueshme dhe me një gropë të madhe financiare, të pamjaftueshme, as për të paguar pagat dhe pensionet. Me seriozitet e me vëmendjen kryesore tek familjet shqiptare ia dolëm të prioritizojmë nevojat dhe investimet, duke mos lënë mënjanë kujdesin për banorët e zonave rurale. Pavarësisht vështirësive, të shkaktuara nga tërmeti apo pandemia, zonat rurale, sot ndoshta nuk kanë gjithçka meritojnë, por kanë subvencionim për blegtorinë, rrugë përmes të cilave lidhen më shpejt me zonat urbane dhe kujdes shëndetësor e social. Nuk ka kthim pas në këto shërbime, pasi të parët, në çdo ditë pune tonën janë njerëzit”, tha Xhaçka në takimet me banorët.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.