Sondazhi i IPSOS/ PS do të fitonte zgjedhjet me 48.4 %, PD do të merrte 39.3 %

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, Partia Socialiste do të fitonte zgjedhjet me 48.4 %, ndërsa 39.3 % e qytetarëve do të votonin për Partinë Demokratike dhe vetëm 5 % do të votonin për LSI.

Kompania për Marketing dhe Hulumtim të Opinionit Publik (IPSOS), një nga kompanitë lider të sondazheve në botë, paraqiti sonte në emisionin “Open” sondazhin e tretë të opinionit publik në Shqipëri mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sondazhi është kryer në periudhën 29 deri më 31 mars 2021 me të intervistuar mbi 18 vjeç. 1513 të anketuarit i janë përgjigjur pyetjeve se cili lider apo parti do të donin që t’i drejtonte, si dhe për programin që kanë prezantuar tre forcat më të mëdha politike në vendin tonë.

45 % do të donin që vendi të drejtohej nga Edi Rama në muajin prill, një rritje e ndjeshme nga muaji mars kur 39 % donin të drejtoheshin nga Rama. Përmirësim të dukshëm ka pasur edhe PD, e drejtuar nga Lulzim Basha e cila është rritur nga 33 në 38 %.

41 % e të anketuarve mendojnë se PS ka ekipin më të mirë bazuar në listat e kandidatëve për deputetë në qarkun e tyre.

31 % mendojnë se ekipin më të mirë e ka koalicioni PD-AN dhe 3 % mendojnë se e ka LSI.

Zgjedhësit janë pyetur për kandidatët që kryesojnë listat e PS, PD dhe LSI në 12 qarqet e vendit.

Nga të dhënat rezulton se të anketuarit njohin më shumë emrat që garojnë në listën e PS. Më konkretisht, 53 % njohin kandidatët e PS, 50 % njohin kandidatët e PD dhe 27 % njohin kandidatët e LSI.

Zgjedhësit kanë bërë edhe vlerësimin për punën e Partisë Demokratike për problemet me të cilat po përballet vendi.

48 % e të anketuarve mendojnë se opozita  po e bën punën keq në trajtimin e problemeve, ndërsa 44 % mendojnë se po e bën punën mirë.

Zgjedhësit kanë bërë edhe vlerësimin për punën e Partisë Socialiste për problemet me të cilat po përballet vendi.

58 % e të anketuarve mendojnë se qeveria po e bën mirë punën në trajtimin problemeve më të mëdha të Shqipërisë ndërsa 38 % mendojnë se po e bën keq.

Të intervistuarit janë pyetur se cila prej partive politike mendojnë do të fitonte zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pavarësisht se kë do të votonin.

Nga të dhënat rezulton se 48 % mendojnë se fitoren e merr Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama. Duket se ka përmirësim të ndjeshëm për muajin prill ndërsa në mars, vetëm 42 % mendonin se fitoren e merrte partia që qeveris aktualisht vendin.

Ndërsa koalicioni PD-AN i drejtuar nga Lulzim Basha është i dyti, por me përmirësim të ndjeshëm nga 27 në 32 %.

Sa i përket LSI, ka pësuar zbritje nga 2 në 1 %.

Zgjedhësit janë pyetur edhe për elementët e programit të tre partive më të mëdha në vendin tonë, PS, PD dhe LSI dhe përgjigjet e tyre janë tërësisht spontane.

Sa i përket përmendjes së të paktën një elementi nga programi i partive, 34 % mund të përmendin një element të PS, 31 % të PD dhe 9% të LSI. Nga të dhënat rezulton se një pjesë e madhe nuk njohin programin e LSI.

Programi i vaksinimit (20 %), rindërtimi pas tërmetit (17 %) dhe trajtimi i papunësisë (14 %), tre prej temave më të komentuara nga Kryeministri Edi Rama në daljet publike iu ka ardhur në mendje të intervistuarve për programin e PS në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit.

Strategjia e taksimit (22 %), trajtimi i papunësisë (18 %) dhe rritja e rrogave (15 %), të cilat janë përmendur shpesh nga kreu i opozitës Lulzim Basha janë tre prej elementëve të programit të PD që i vijnë në mendje të anketuarve.

Në programin e LSI, tre elementët që i vijnë më shpejt në mendje të intervistuarve janë strategjia e taksimit, garancia rinore dhe emigrimi/ikja e të rinjve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.