Shqipëria trefishoi kapacitetet hoteliere në 7 vjet/ Kampione e turizmit në Ballkan brenda kësaj dekade

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Shqipëria në vizionin e Partisë Socialiste brenda vitit 2030 do të jetë kampione e turizmit në Ballkan. Ky është një vizion i bazuar në fakte dhe jo në dëshira.

Kryeministri Edi Rama, nga këndi i komunikimit në Dropull, bëri me dije se në Gjirokastër falë investimeve të bëra nga qeveria janë duke lindur çdo ditë hotele të reja dhe në harkun kohor të shtatë viteve është trefishuar kapaciteti i hotelerisë në qytetin e gurtë.

“Ne këtu kemi investuar në infrastrukturë dhe do vijojmë ta bëjmë. Dropulli ashtu si dhe e gjithë Shqipëria, është një pamje e qartë, shumë më shpresëdhënëse se ajo çfarë ishte para shtatë vitesh, por gjithmonë një pamje e paplotë, për atë që duam ne, pasi Shqipëria që duam për të ardhmen tonë, për të ardhmen e fëmijëve tanë është në ndërtim e sipër. Është në ndërtim e sipër në çdo sektor”, – tha Rama.

“Sot kemi mundësi te themi se Shqipërinë do ta bëjmë kampione të turizmit në Ballkan brenda kësaj dekade. Në vizion tonë të 2030-ës, Shqipëria është kampione e turizmit në Ballkan dhe kjo është e mundur, jo si një vegim apo dëshirë, por si një vizion i bazuar në të gjitha themelet që kemi ngritur dhe patjetër në të gjitha rrugët e reja të perspektivës që kemi hapur për të marrë investime të huaja dhe të brendshme. Sot Shqipëria ka trefishuar kapacitetin e vetë në hoteleri në harkun kohor të shtatë viteve”, – tha Rama.

“Mjafton të shohësh Gjirokastrën. Kur ne vinim në Gjirokastër, ishim në opozitë apo në fillimet e qeverisjes sonë kishte vetëm një hotel. Edhe ai mezi mbahej. Sot lindin çdo muaj bujtina të reja. Ne dje ishim në një nga ato, në një shtëpi gjirokastrite, totalisht e rrënuar dhe me ndërhyrjet e bëra nga Rilindja Urbane, me gjithë infrastrukturën e zemrës së qytetit, nxiti investimin e një çifti, një gjirokastriti me një vajzë nga përtej kufirit, që bashkë me të shoqin vendosi të vijë të jetojë këtu në Gjirokastër. Të dy bashkë kanë bërë një infrastrukturë mikpritjeje fantastike, me pesë yje. Një Hotel Butique që do mund të gjeni në çdo zonë turistike ekselence në Francë, Itali apo Zvicër”, – nënvizoi Rama.

“E si mund të bëhej kjo disa vite më parë, kur këtu s’kishte asgjë, por ishte vetëm ndjesia e rrënimit dhe braktisjes? Nuk mund të bëhej dot. Por, kjo nuk është një arsye për të thënë që kjo punë mbaroi. Kjo është arsye për të thënë se sa shumë ka potencial e sa shumë mund të bëhet ende. Kjo është rruga dhe është një rrugë e përpjetë, jemi duke u ngjitur dhe ngjitja është e vështirë, se sa më shumë të ngjitesh, aq më shumë ndjen lodhjen, aq më shumë ndjehesh i tunduar të thuash arrita këtu, isha shumë poshtë, s’po vazhdoj më. Por jo, ne s’kemi rrugë tjetër, duhet të ngjitemi për ta çuar Shqipërinë në atë majë që i takon të shkojë me forcat e kësaj gjenerate dhe më pas do shkojë në majat më të larta akoma”, – tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.