Shqipëria, në fashën më të lartë të klasifikimit për ritmin e vaksinimeve/ Ata janë gati të lënë njerëzit e tyre pa vaksina

TIRANË, 8 prill/ATSH/ “Procesi i vaksinimit po vijon me ritme shumë të larta dhe jemi ngjitur në fashën më të lartë të klasifikimit për ritmin e vaksinimeve”, tha Kryeministri Edi Rama nga Dropulli, ku po vijon turin e tij elektoral në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 prillit.

Kryeministri akuzoi opozitën se janë gati të lënë njerëzit e tyre pa vaksina, ashtu sikundër janë gati t’i mbledhin në ato turma sipas parimit: le të infektohen, të bëjmë zgjedhjet njëherë.

“Sepse për ata, ndjekësit e tyre janë mish për top, ju duan të verbër, të shurdhër, të vrerosur, në mënyrë që t’i hedhin në zjarr, në zjarrin e epidemisë. Dhe thonë që njerëzit janë gati të vdesin për të rrëzuar regjimin. Regjimin e kujt? Të ligjshmërisë, rregullit, përpjekjes për të bërë shtet dhe Shqipërinë të ardhmen e një shtëpie të përbashkët, ku fëmijët tanë të mos jenë krenarë vetëm për historinë, as vetëm për bukuritë e natyrës, por krenarë për kushtet në të cilat jetojmë“, deklaroi Rama.

PS, vijoi Rama, ka treguar se është e vetmja forcë karakteri në politikën shqiptare dhe në përfaqësimin e shqiptarëve.

“Kemi patur një mandat dhe një periudhë lufte, me pasojat e një tërmeti katastrofik dhe një tërmet botëror që gjunjëzoi shtete shumë më të zhvilluara se ne. Imagjinojeni për një moment të na kishte gjetur pandemia me spitalet e tyre, ku s’kishte batanije, çarçafë, ngrohje, as ujë në tualet. Pa folur për ilaçe, aparatura e respiratore, madje edhe pa uniforma për trupën e mjekëve e infermierëve, ku hyje e nuk e merrje vesh kush ishte mjeku e kush pacienti apo familjari”, tha Kryeministri. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.