Rilindja Urbane/ Ndërhyrje strategjike në zemrat e qyteteve për të nxitur investimet e biznesit dhe emigrantëve

IRANË, 8 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha se “po punohet shkallë-shkallë, me një vizion dhe me një plan për të arritur atje ku duam të arrijmë për të ardhmen e vendit”.

Gjatë një interviste televizive, Rama theksoi se “në këtë rrugë që kemi zgjedhur për të bërë vendin, nuk ka recetë magjike, dhe çdo hap që ngjitesh bëhet më e vështirë dhe maja,  thonë ata që merren me alpinizëm, duket sikur largohet. Po kjo është rruga”.

“Unë nuk them se ekonomia po lulëzon, por ka shumë shembuj ku sipërmarrjet po investojnë fort” – u shpreh kryeministri.

“Pa Rilindjen Urbane këto gjëra nuk do të ndodhnin. Pa Rilindjen Urbane në Lungomaren e Vlorës, do të vazhdonin gropat, apo pusetat, parkimet pa fund dhe apartamentet e pashitura”, u shpreh Rama.

“Në mandatin e parë ne investuam në qendrat urbane, zemrat e qyteteve. Ishte një ndërhyrje strategjike për të filluar dhe injektuar gjak në organizëm. Ishte një organizëm i mbaruar dhe të gjitha këto investime private sigurisht që janë meritë e privatëve, të cilët këtu kanë qenë edhe më parë, apo edhe emigrantëve, por nuk investonin se nuk të tërheq shëmtia. Nuk të tërheqin gropat. Tërheq gjëja e bukur”- u shpreh Rama.

Kryeministri tha se, ne kemi bërë shumë punë edhe me rrugët.

“Qeveria e Sali Berishës ka tenderuar shumë rrugë. Kjo është e vërtetë, ka prerë shumë shirita. Por nëse marrim financimin e atyre veprave, kemi financuar ne mbi 70% të rrugëve të tenderuara të tij. Ai i nisi rrugët dhe i la të gjitha pa përfunduar dhe jemi ne që i kemi financuar të gjitha dhe po i përfundojmë”- deklaroi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.