Rikthimi i studentëve në auditore nëse vaksinohen/ Kushi: Vendimin e merr Komiteti Teknik i Ekspertëve

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi e cilësoi të duhur vendimin e Komitetit të Ekspertëve i cili në mbledhjen e rishikimit të masave dyjavore përcaktoi se studentët duhet të vijojnë mësimin online.

“Të gjithë duan që studentët të jenë në auditorë, por kjo është situata”, u shpreh Kushi.

Në një intervistë televizive duke folur për rikthimin e studentëve në auditore nëse vaksinohen, Kushi tha se “nuk di ta them, sepse parashikimet nuk janë kaq larg”.

“E rëndësishme është që pedagogët janë vaksinuar. Janë vaksinuar rreth 17 mijë arsimtarë dhe mbi 50 % e pedagogëve”, tha ajo.

“Këtë vendim se marrim ne, por Komiteti Teknik i Ekspertëve që vlerësojnë ecurinë e pandemisë dhe vendimin për masat e marrin ata. Ne marrim sugjerime, sepse ata sugjerojnë të gjitha institucionet për hapat që do të marrin. Për ne është prioritet i rëndësishëm cilësia e arsimimit, por jeta dhe shëndeti është prioriteti më absolut. Jemi të detyruar të ndjekim këshillat e tyre”, vijoi Kushi.

“Ky vendim bazohet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, prioriteti absolut është shëndeti dhe jeta e nxënësve, mësuesve, gjyshërve. Studentët janë online, sepse është e provuar shkencërisht që konviktet janë vatra infeksioni. Nuk ka qeveri që nuk do të donte që të kishte studentët në auditorë, por jemi në një situatë pandemie, kështu që ne po analizojmë rastet çdo ditë”, – tha Kushi.

Lidhur me kthimin e maturantëve në 10 bashkitë që janë konsideruar si me rrezik të lartë, Kushi theksoi se “të gjitha shkollat ishin të përgatitur për të pritur maturantët”.

“Kanë nisur konsultimet dhe në këto shkolla, apo dhe ato të tjera, të realizohen orë me prani fizike, në mënyrë që të përgatiten për provimet e maturës. Aty varet jeta e tyre”, tha Kushi./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.