Procesi i zhvillimit ku jemi sot njësoj si dyert e Gjirokastrës, që hapen dhe presin për t’u hapur

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “zgjedhja në 25 prill është shumë e qartë: të vazhdojmë të hapim dyer, të rilindim pjesë të këtij organizmi kaq të bukur, po kaq në nevojë për t’u ripërtërirë në vazhdim që është Shqipëria”.

Në fjalën e tij gjatë një takimi me qytetarë të Gjirokastrës, Kryeministri Rama tha se “apo të ndalemi e të kthehemi mbrapa edhe njëherë siç kemi bërë disa herë në historinë, që nga koha kur ramë pre e sirenave joshëse të Haxhi Qamilit, dhe përvëluam veten deri tek koha më e re, kur ramë pre e sirenave joshëse të Vehbiut, Sudes e Saliut dhe përvëluam veten”, – tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “është për të ardhur keq që nuk jemi shumë në numër, por nga ana tjetër është kënaqësi e madhe të vish në Gjirokastër dhe ndryshe nga disa vite më parë kur sa herë vije në Gjirokastër nuk kishte asgjë të re, sot sa herë vjen në Gjirokastër ka gjithmonë gjëra të reja”.

“Është kënaqësi e madhe të ecësh në rrugët e Gjirokastrës dhe të shikosh dyer të tjera që hapen, shtëpi të tjera që rilindin si bujtina, shkallë që restaurohen, mure që pastrohen, hapësira që transformohen në hapësira mikpritje dhe njerëz që angazhohen në një zinxhir ekonomik që zgjatet, pavarësisht një kohe kaq të vështirë, sa kjo kohë kur pandemia ka shtrënguar rripat e mbarë botës. Nuk ka qenë 700 apo 70 vjet përpara, por ka qenë 6-7 vjet përpara koha kur në Gjirokastër kishte vetëm një hotel, kishte vetëm një mundësi qëndrimi. Sot mundësitë për të qëndruar dhe vendet ku mund të zgjedhësh të qëndrosh janë shumë më shumë dhe vetëm shtohen”, – theksoi Rama.

Dje, vijoi Rama, kishim një takim me disa nga protagonistët e këtij transformimi të pabujshëm, por të vazhdueshëm që ndodh.

“Në fakt në gjithë territorin e Shqipërisë njerëzit po i drejtohen kësaj kategorie të re të turizmit në Shqipëri dhe aty pata mundësinë të njihem me dy prej tyre që janë nga kjo zonë dhe një prej tyre ishte nga Libohova, Labova e Kryqit, ku sapo kishte hapur një bujtinë të re në një shtëpi të vjetër që deri dje kërcënohej nga shembja prej degradimit e braktisjes dhe sot është kthyer në një ballkon të bukur përballë kishës së restauruar, xhevahirit të Labovës së Kryqit”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “mund të vazhdoj gjatë me këto raste, dua të ndalem për të thënë që kështu është gjithë procesi i zhvillimit ku jemi sot njësoj si dyert e Gjirokastrës, dyer që hapen, ndërkohë që të tjera dyer presin për t’u hapur, shtëpi që rindërtohen dhe rilindin me një shkëlqim tjetër dhe të tjera shtëpi që presin të rindërtohen e të rilindin, pasi u bë një kohë shumë e gjatë braktisjeje, degradimi, pluhuri të indiferencës së Tiranës dhe pamundësie të qeverisë vendore për të hyrë në këtë proces”.

“Të gjitha rëniet mbrapsht janë ndryshe, por kanë një të përbashkët: rikthejnë të shkuarën në jetën tonë, ndërkohë që ne kemi vendosur një objektiv për të kapur një majë dhe ngjitja është e vështirë dhe thonë sa më shumë ngjitesh, aq më e largët duket maja, sepse aq me shumë testohet durimi, vendosmëria, forca për të vazhduar të ngjitesh. Në këtë test bëhet gjithmonë e më i fortë tundimi për të ndaluar, për të të thënë mjaft, për të kthyer kokën pas e për t’u dorëzuar”, nënvizoi Rama.

Por, shtoi Rama, ne nuk mund të ndalojmë dhe nuk mund të dorëzohemi.

“Sot jemi në kushtet kur karakteri ynë është testuar njësoj si ato testet që i bëhen metalit në zjarre, është testuar në një përballje të jashtëzakonshme që është unikale, që e ktheu mandatin tonë të dytë jo në një mandat qeverisës, por në një kohë lufte, me dy goditje njëra pas tjetrës, një tërmet katastrofik, ku në pak sekonda mijëra e mijëra familje humbën çatinë e tyre dhe u gjendën përballë plagëve që bënë që askush të mos besonte se do të ringriheshim më të fortë, dhe një tërmet tjetër që tundi botën. Agresioni i armikut të padukshëm që sfidoi sistemet shëndetësore nga më të zhvilluarat”, – tha Rama.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.