Peleshi, takim me banorët e lagjes 2 në Korçë: Vota për PS favorizon zhvillimin, jo kthimit pas

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Gjatë takimit të zhvilluar me banorët e lagjes nr. 2 në qytetin e Korçës, drejtuesi politik i qarkut, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, kërkoi mbështetje maksimale në zgjedhjet e 25 prillit, për të vijuar përpara me planet dhe projektet e hartuara tashmë.

Peleshi nga ana tjetër foli edhe për hapjen e sektorëve të rinj, që do t’i sillnin vendit jo vetëm rritjen e punësimit dhe të ekonomisë por edhe një qëndrueshmëri në buxhetin familjar të gjithësecilit.

Prandaj për Peleshin e rëndësishme është që të gjithë të shkojnë të bindur për zgjedhjen që do të bëjnë në 25 prill duke favorizuar zhvillimin dhe jo kthimin pas.

“Kemi bërë punë shumë të mëdha por ky nuk është fundi. Kemi arritur në një stacion që nuk është fundi por më shumë afër fillimit. Unë mendoj që është vetëm një stacion i parë dhe kjo është arsyeja pse ne kërkojmë të votohemi në 25 prill për të vijuar punën. Na duhet që tani të kalojmë më tej, të kërcejmë, të ngjitemi disa shkallë më lart. Korça e ka mundësinë tani, e ka komoditetin të flasë për sektorët e zhvillimit ekonomik që atë ndryshim që ka infrastruktura ta ketë çdo familje në buxhetin familjar”, u shpreh Peleshi.

“Na duhet të krijojmë sektorë të rinj. Kemi një projekt për bujqësinë dhe agropërpunimin. Të them të drejtën bujqësia nuk është aq e zhvilluar, nuk ka ndonjë ndryshim të madh në rritjen e fermës bujqësore. Na duhet kohë të konsolidojmë tokën dhe këtu kadastra ka bërë një punë shumë të mirë. Agropërpunimi ka shumë sektorë të tjerë dhe hap shumë vende pune për shumë të rinj. Këto janë planet që ne kemi përpara që na presin”, vijoi ai.

“Prandaj në 25 prill do doja jo vetëm që ju të votonit Partinë Socialiste, por të bënit më shumë sesa vetja. Të mos këpusim zhvillimin e vendit. Në radhë të parë është në interesin e Korçës dhe të gjithë Shqipërisë që punët të vazhdojnë dhe të ngjiten më lart. Kemi humbur shumë kohë. Vërtet kemi një lloj justifikimi dhe nuk mund t’ia faturojmë më tranzicionit. Kemi humbur kohë për gabimet tona të këtyre viteve, prandaj nuk duhet të gabojmë më, pasi Partia Demokratike e dorëzon vendin shumë më keq nga çfarë e gjen. Kemi rrugë përpara për të bërë, kemi projekte, kemi mundësi, le të vijojmë kështu siç kemi bërë të japim më shumë nga vetja për të ecur përpara”, – theksoi Peleshi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.