Peleshi: Korça model transformimi, investimet publike pararendin ato private duke rritur turizmin

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se “greva e kontrollorëve të trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Tiranë, është e paligjshme”.

Gjatë një interviste televizive, Peleshi theksoi se “shumë greva dhe protesta janë të ligjshme se jemi në demokraci, por në këtë rast kemi të bëjmë me një grevë që është tërësisht në kundërshtim me ligjin”. Aq më tepër, vijoi ai, me argumentin se nuk jemi në grevë, po jemi në kushtet e stresit të madh të shkaktuar nga përgjysmimi i pagës nga 4 milionë në 2 milionë lekë në muaj dhe për këtë arsye nuk na bëjnë duart për punë. “Është qesharake”, tha Peleshi.

“Unë mendoj se duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që e shkaktuan këtë krizë, në mënyrë që ky precedent mos të ketë një të dytë dhe mos të përsëritet më”, u shpreh ai.

Lidhur me fushatën e zgjedhjeve ku Peleshi është kandidat i PS-së, për qarkun e Korçës, në zgjedhjet e 25 prillit ai tha se “PS-së në këtë qark ka objektiv maksimal për të marrë 7 deputetë“.

“Jemi optimist në qarkun e Korçës, sepse Korça është modeli i transformimit të jashtëzakonshëm. Korça si qytet por edhe 6 bashkitë që formojnë këtë qark, janë transformuar duke krijuar modelin më të mirë, ku investimet publike pararendin investimet private dhe kështu shumëfishojmë të ardhurat dhe zhvillojmë vendin”- tha ai.

Peleshi theksoi se, “kemi një sektor të rilindur në Korçë që është turizmi i fundjavës”.

“Turizmi është një sektor i konsoliduar. Me qindra bujtina e mijëra shtretër janë krijuar në Korçë e Pogradec, gjatë këtyre viteve që na evidentojnë bindjen, se sa të rëndësishme janë investimet publike, Rilindja Urbane për rivitalizimin e qytezave e fshatrave”, u shpreh Peleshi.

“Para viteve 2013 ne i gjetëm qytetet shqiptare në depresion, veçanërisht ato periferike, ndërsa sot ka lindur besimi se edhe qytetet periferike mund të ndërtojnë të ardhmen dhe rrugën e biznesit”- tha Peleshi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.