Nga aeroporti i Sarandës, te Skavica dhe HEC-i i Vlorës/”Shqipëria 2030″, kampione e Ballkanit në turizëm e agroturizëm, lider në energjitikë

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se, “ne kemi shtjelluar, bazuar dhe në eksperiencën e këtyre viteve një vizion për 2030-ën dhe ne besojmë shumë që Shqipëria mund të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm, në agroturizëm”.

Gjatë një takimi me të rinj në Gjirokastër, Rama tha se Shqipëria mund të bëhet lider në fushën e energjisë.

“Ne kemi mundësinë që të kalojmë nga një vend që ishte një situatë, ju e dini shumë mirë, shumë kritike me energjinë, në një vend që është eksportues neto i energjisë dhe gjithë ato para që ne kemi shpenzuar dhe shpenzojmë për të importuar energji kur nuk ka reshje, të mos shpenzohen më për këtë punë, përkundrazi ne të fitojmë duke eksportuar energji. Për këtë arsye kemi dy vepra të mëdha, qoftë Skavicën lartë, qoftë HEC-in e Vlorës, në bashkëpunim me qeverinë amerikane, në marrëveshje me dy kompani shumë të mëdha amerikane, ashtu sikundër kemi dhe dy vepra të mëdha, parqet fotovoltaike që shtojnë kapacitetin e prodhimit, por dhe diversifikojnë portofolin tonë të energjisë së gjelbër”, theksoi Kryeministri.

“Po kështu aeroportet, po kështu portet turistike, që janë të gjitha në proces, janë të gjitha punë, projekte, njëri më i avancuar, njëri më pak i avancuar. Për pak ditë hapim aeroportin e Kukësit. Askush nuk e besonte. Të gjithë thonin ‘çfarë janë këto muhabete’. Hapim aeroportin ndërkombëtar të Kukësit. Firmosim kontratën më në fund për të filluar ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Do të hapim menjëherë, sapo të firmosim kontratën për Vlorën, garën për aeroportin e Sarandës dhe të gjitha këto së bashku e të tjera do të krijojnë gjithë atë zinxhir hallkash të munguara, që pastaj do të kthehen në ekonomi dhe për të krijuar shumë më tepër vende pune, me shumë më tepër të ardhura dhe mundësi, sigurisht për më të rinjtë”, nënvizoi më tej Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.