“Në 25 prill vendimi shumë i qartë”/ Do vazhdojmë të fitojmë sfidën me pasojat e tërmetit dhe luftën kundër armikut të padukshëm

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, vendimi i 25 prillit është nëse do vazhdojmë të fitojmë dy sfidat për të fituar luftën me pasojat e tërmetit dhe për shporrjen e armikut të padukshëm, apo do kthehemi pas.

Duke folur në aktivitetin Këndi i Fjalës në Gjirokastër, Rama tha se, “në 25 prill vendimi është shumë i qartë, do vazhdojmë dhe do t’i fitojmë të dyja këto sfida për ta fituar këtë luftë në dy fronte me pasojat e tërmetit dhe për shporrjen e armikut të padukshëm, apo do fillojmë avazin nga e para për të shkuar përsëri në një drejtim të paditur dhe për të përfunduar përsëri aty ku kemi përfunduar sa herë që ata, të cilët na vijnë nga mbrapa, se përballë nuk i kemi, kanë pasur mundësinë, dhe fatin, dhe privilegjin ta drejtojnë këtë vend, apo të marrin një punë, një detyrë në këtë vend”.

“Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, – theksoi Rama, – ka një fjalë të mençur që thotë: të përsërisësh të njëjtën gjë dhe të presësh një rezultat tjetër do të thotë që je budalla. S’ka sesi. Dhe kjo është e njëjta gjë që përsëritet dhe këtë e thonë vetë kur thonë që 8 vjet më parë ndodhi një aksident. Domethënë sipas tyre lajthiti populli dhe aksidentalisht i largoi ata. Tani populli duhet të rregullojë gabimin e madh që bëri, fajin madje dhe të mos lajthisë prapë, dhe të sjellë prapë ata”.

“Ata që janë aty, siç e patë dje, mbrapa derës gati për t’u futur përsëri në krye të vendit dhe për ta bërë vendin përsëri paçavure. Gati për t’i kthyer përsëri mësuesit, infermierët, punonjësit e këtij shteti në ‘mish për top’. Ik ti, se do vijë ky. Ik ti, se do vijë kjo. Shumë thjeshtë”, tha Rama.

“Gati për të rikthyer përsëri jo më shumë e jo më pak, po arbitraritetin në futjen e nxënësve dhe fëmijeve tuaj dhe të fëmijëve të shqiptarëve në universitet. “Nuk mund të hyjë ky, se ky s’është i yni, ky s’ka një mbiemër të njohur, ky s’ka lekë. Të hyjë ky tjetri””, tha Rama.

“Gati për të kthyer taksën e sheshtë mbi të gjithë ata që janë aty tek Qafa e Pazarit, që kanë sipërmarrjen e tyre të vogël që sot e kanë taksën zero, e kanë TVSH-në zero. “9 % secili nga e para””, u shpreh Rama.

“Gati për të rikthyer shumë e shumë gjëra të tjera, por mbi të gjitha, gati për të rikthyer karakterin e tyre të dobët dhe paaftësinë e tyre në qendër të zhvillimeve të jetës së vendit”, theksoi Rama.

“Ndërkohë që ne”, shtoi Rama, “jemi këtu gati për të vazhduar edhe me më shumë këmbëngulje, edhe me më shumë durim, edhe me më shumë forcë dhe energji përpara, për të vazhduar të ngjitemi për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, në një nivel ku gjërat nuk kthehen më mbrapsht”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.