Investimet/ Tepelena, Labëria bashkë me Gjirokastrën, Përmetin, Këlcyrën, Libohovën, Dropullin, mundësi që në shumë pak kohë të dalin në detin Jon

TIRANË, 8 prill/ATSH/ “Shqipëria ka filluar pak nga pak të vërë në punë burimet e veta të jashtëzakonshme natyrore dhe trashëgiminë e vet kulturore. Do të vazhdojmë me këmbëngulje përpara dhe të lidhim një nga një hallkat e një zinxhiri që do të bëhet një gjerdan i bukur në qafën e Shqipërisë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Gjirokastra gjatë një takimi me të rinj të këtij qyteti.

“Po të bësh një xhiro në zemrën e Gjirokastrës, shikon se sa herë vjen gjërat ndryshojnë, dyer të tjera hapen, shkallë të tjera restaurohen, dhoma të tjera transformohen në hapësira mikpritje, biznese të vogla krijohen, të reja dhe të rinj, familje krijojnë punë për veten e tyre, por edhe punësojnë edhe të tjerë. Kjo është një punë që vazhdon është një punë prej milingonash, punë këmbëngulëse, e duruar e vendosur për ti çuar gjërat aty ku secili dëshiron, në atë pikë të frontit që ka zgjedhur”, – theksoi Rama.

“Çfarë ndryshon sot në krahasim me dje? Deri dje, – vijoi Rama, – sa herë vije në Gjirokastër shikoje po atë që kishe parë herën e kaluar, më shumë pluhur, më pak energji dhe më pak gjurma të një jete që gëlon.

Sot nuk është si duam ne të jetë, sepse ka aq shumë dyer për të hapur, ka aq akoma shumë shkallë për të restauruar, ka akoma kaq hapësira për të shfrytëzuar, për ta kthyer të gjithë këtë rrjet fantastik xhevahiresh gjerdani, të një gjerdani të mrekullueshëm të trashëgimisë sonë kulturore në një rrjet ekonomie, punësimi, në një rrjet që të tërheqë gjithmonë e më shumë vizitorë dhe turistë dhe të krijohen gjithmonë e më shumë të ardhura për të gjithë ata që vendosin të qëndrojnë këtu. E sjell këtë shembull, se kështu janë të gjithë sektorët e jetës tonë në këtë proces”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “zgjedhja është shumë e qartë, të vazhdojmë me këmbëngulje përpara dhe të lidhim një nga një hallkat e një zinxhiri që do të bëhet një gjerdan i bukur në qafën e Shqipërisë, që do të bëhet një gjerdan i bukur në të gjithë atë organizëm të trupit dhe shoqërisë tonë, apo do të ndalojmë”.

“Ne nuk mund të ndalojmë dhe s’mund të bëjmë atë gabim që shqiptarët kanë bërë në historinë e tyre, që janë tërhequr nga sirenat joshëse që i kanë zhytur pastaj thellë dhe i kanë bërë të humbin kohë dhe të paguajnë shtrenjtë koston e kësaj tërheqje. Nuk ka transformim pa mundim, pa punë, s’ka ngjitje pa rezistencë, pa vendosmëri dhe pa lodhje”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se, “besoj shumë që ne e kemi të mundur që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tuaj e të gjithë vajzave dhe djemve, fëmijëve të këtij vendi, sepse Shqipëria ka filluar pak nga pak të vërë në punë burimet e veta të jashtëzakonshme natyrore dhe trashëgiminë e vet”.

“Ne ishim lart në Peshkëpinë e Sipërme ku bëmë takim pranë një tjetër xhevahiri të trashëgimisë kulturore që ishte në rrezik zhdukjeje, kisha e Shën Mërisë në Peshkëpinë e Sipërme, që sot është një nga shumë e shumë arsyet për të ardhur e për të vizituar Gjirokastrën”, – tha Rama.

Më tej Kryeministri Rama tha se “Tepelena ishte e braktisur tek kthesa, askush nuk ndalonte atje, veçse për të pirë pak ujë ose për të mbushur makinën me karburant e vazhduar sa më shpejt. Por sot Tepelena është një institucion. Labëria lart është një destinacion, po sot Tepelena, Labëria bashkë me Gjirokastrën, Përmetin, Këlcyrën, Libohovën, Dropullin, kanë mundësinë që në shumë pak kohë të dalin në detin Jon. Ashtu si ata që do të vijnë në detin Jon, të vijnë këtu”.

“Ashtu sikurse rruga e re lidhëse mes Kolonjës e Përmetit do të japë mundësinë që gjithë ky pellg të zgjerohet me pellgun andej nga Korça dhe kështu në këtë hapësirë do të ketë shumë më tepër mundësi për ekonomi, për të krijuar punë, për të marrë e dhënë punë dhe në të gjithë këtë hapësirë, duhet iniciativë, guxim. Nuk duhet pritur se çfarë do të bëjë shtetit për mua, kur do të më japë një punë shteti, por duhet parë sa potenciale ka, se sa mundësi ka. Mjafton që të kesh sytë e hapur dhe të kesh kurajo për të shkuar pas asaj imagjinate dhe për të realizuar e arritur qëllimet”, – tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se, “ne kemi bërë gjëra pafund, por ka pafundësi gjërash që do të vazhdojmë të bëjnë, që të gjitha duhet të marrin kuptimin e tyre. Reforma në arsim është shumë e rëndësishme, por ka një zinxhir gjërash që duhet të vazhdojnë të bëhen që ajo reformë të japë rezultate. Këtu në Gjirokastër keni universitet, ne duam t’i ngremë në një nivel tjetër universitetet tona duke krijuar kushte që të bashkojmë forcat dhe të krijojmë sinergji me universitetet e huaja”.

“Ju e keni Janinën, afër. Shumë nga ju keni shkuar në Janinë. Janina jo para shumë kohësh ka qenë një qytet pa shumë jetë, provincial, një qytet që s’e kishte jetën fantastike që ka sot falë universitetit. Çfarë ka më pak Gjirokastra, për të pasur, po të njëjtin bum, falë jetës studentore që krijon jetë ekonomike, që krijon sinergji me gjithë strukturën e shërbimeve. Asgjë nuk ka më pak këtu, apo më shumë atje, duhet vetëm vizioni dhe puna këmbëngulëse për të arritur atje, që ne të vijojmë sinergji me Universitetin e Janinës apo të tjerë. Universitetet tona duhet të jenë dyer që të rinjtë dhe të rejat të shkojnë njësoj sikur ikin jashtë shtetit, pa pasur nevojë të ikin jashtë shtetit, pa pasur nevojë të bëjnë shpenzime, për t’i marrë këtu ato mësime dhe diploma”, – theksoi Rama.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.