Infrastrukturë për nxitjen e bujqësisë e blegtorisë/ Rruga e Lumit të Vlorës përfundon shumë shpejt

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “rruga e Lumit të Vlorës dhe Labërisë së sipërme, janë të  premtuara që nga dita që është themeluar shteti shqiptar, ëndërr e gjithë banorëve dhe po mbarohen sot”.

Në një intervistë televizive Rama tha se “shumë shpejt mbaron rruga e Lumit të Vlorës, se që të zhvillohet bujqësia dhe blegtoria duhet të ketë infrastrukturë. Atje rruga ishte një shteg për thyerje brinjësh”.

“Rruga tjetër është rruga që lidh Labërinë e sipërme, gjithë zonën e Kurveleshit me zonën poshtë. Të dyja këto rrugë janë rrugë të premtuara nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, janë rrugë të premtuara më pas nga Sali Berisha dhe janë rrugë që po realizohen sot”, – tha Rama.

Sipas Kryeministrit, të dyja këto rrugë do të bëjnë një ndryshim spektakolar të gjithë pjesës së brendshme.

“Po të shkosh sot ne Tepelenë, s’po them çfarë kemi investuar ne, por deri tani janë investuar 30 milionë euro nga njerëzit atje, nga emigrantë investitorë vendas në bashkinë Tepelenë. Në Tepelenë deri para 7 vjetësh nuk ndalonte njeri”, shtoi Rama.

Duke u ndalur tek rruga Korçë-Ersekë, Kryeministri Rama tha se “ka edhe një lot dhe përfundon dhe rruga Ersekë-Leskovik-Përmet, e cila  do të lidhë edhe Korçën me zonën këtej”.

“Pra do krijojmë një pellg shumë të madh dhe shumë divers për të krijuar një turizëm të brendshëm, jo të bregdetit, që do të furnizojë edhe nga bregdeti gjatë sezonit, ku bujqësia, blegtoria, produktet vendase do jenë burim i spektaklit”, u shpreh Rama.

Lidhur me rrugën Korçë-Qafë-Plloçë Kryeministri Rama u shpreh se, “kjo rrugë është një rrugë e lënë rrugëve, por të gjitha rrugët e lëna rrugëve të Saliut, kanë pasur një karakteristikë të përbashkët: projekte mizerabël, kontrata mizerabël, supervizion mizerabël dhe në fund kosto. Rrugët e Saliut kanë kushtuar edhe deri trefishin e asaj që është prokuruar, pasi është ridashur të bëhen nga e para projektet”.

“Për rrugën Qukës-Qafë-Plloçë unë kam parë një rekord botëror për Guinness e paaftësisë. Një urë që lidhte dy rrëpira me 17 metra inklinim, një urë që mund të përdorej si pistë skish, ose për të shkuar në kontrollin ajror”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se “kemi ribërë projektin, kemi kërkuar rifinancim nga banka dhe kemi marrë dhe përsëri ka dalë problem, përsëri rifinancim tjetër se janë rrugë të bëra pa studime gjeologjike”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.