“Gjirokastra, pasaporta e turizmit shqiptar”/ Kumbaro: Mandati i tretë, të vazhdojmë punën që kjo shpresë të mos ndalet

TIRANË, 8 prill /ATSH/ “Gjirokastra është sot pasaporta e turizmit shqiptar, jo vetëm pasuri kulturore, por në radhë të parë një pasaportë kombëtare që na bën krenarë për atë që na kanë lënë, po sidomos për atë që ju po ndërtoni për fëmijët tanë, por dhe të gjithë shqiptarëve”.

Kështu deklaroi Mirela Kumbaro, kandidate e PS-së në qarkun e Gjirokastrës, ku theksoi se, “kjo është Gjirokastra për të cilën ne kemi ëndërruar, kjo është Gjirokastra që ju po ndërtoni, që ne së bashku po ndërtojmë, por që nuk do të ishte e mundur pa vizionin që para 8 vitesh e shihnim si ëndërr, 4 vite më parë e preknim si kantier dhe sot befasohemi, sepse çdo ditë një thesar i Gjirokastrës falë mbështetjes së PS bëhet realitet çdo ditë, befason vizitorët, por dhe ne si gjirokastritë kur themi “sa të thella i paskemi patur rrënjët””.

Gjatë fjalës së saj, Kumbaro theksoi se ky vend do t’i japë 3 mandate Partisë Socialiste më 25 prill.

“Gjithë qëllimi ynë nuk është patjetër të marrim votat se na duhet pushteti, por të marrim votat që të vazhdojmë punën, që kjo shpresë të mos ndalet. Që të punojmë 4 vjet duhet të votojmë një ditë, dhe nuk ka 100 mundësi dhe alternativa, kemi një mundësi që është e vërtetë, të tjerat nuk janë alternativë. Të tjerat janë sherre dhe nuk janë kundërshtarë politik, dhe nuk janë rivalë të denjë për ne, sepse nuk kanë vizion. Nuk ka dyshim që më 25 prill Gjirokastra më shumë se kushdo tjetër do votojë nr. 12 dhe jo vetëm me 2 mandate siç thonë, 3 mandate do t’i japë Partisë Socialiste, Gjirokastra”, përfundoi Kumbaro.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.