Bllokimi i aeroportit pengoi ardhjen e vaksinave/ Sulm çmendurak i organizuar për të kthyer kaosin dhe fantazmën e rrëmujës

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, nga këndi i komunikimit në Dropull, bëri me dije se bllokimi i punës në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas është një sulm çmendurak i organizuar për të kthyer kaosin dhe fantazmën e rrëmujës në Shqipëri, por ai  tha se qeveria nuk nuk do ta lejojë këtë.

Rama gjithashtu tha se ky sulm ka bllokuar ardhjen e vaksinave në vendin tonë, ashtu si dhe lëvizjen e mijëra pasagjerëve, ndërsa shtoi se pas kësaj “fshihen” ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti Ilir Meta.

“Shqipëria dhe shqiptarët e kanë pësuar disa herë në histori duke rendur pas berihajit, që nga koha që rendën pas Haxhi Qamilit dhe në kohët më moderne kur rendën pas Sudes, Vehbiut apo Xhaferrit. Iluzionet e ofruara nga këta lloj magjistarësh kanë vetëm një fund, buzën e greminës, ose komplet larg qoftë në greminë. Shikoni se çfarë ndodhi jo më larg se dje. U bllokua aeroporti i vendit, u bllokua ardhja e vaksinave dje. Ishte një natë pa gjumë për të luftuar që ta mbanim sasinë e vaksinave që priste aty për të ardhur, për të mos lejuar humbjen e kësaj sasie, se mund të shkonte në një shtet tjetër. Nuk është një pazar që shkon e thua ma mbaj mallin se unë po bëj një xhiro e po kthehem nesër. Luftë për ta mbajtur sasinë e vaksinave për të ardhur në Shqipëri dhe të mos humbisnim 1 javë apo 10 ditë duke pritur për të ribërë gati porosinë”, – tha Rama.

“Një javë, dhjetë ditë pa vaksina, përse? Sepse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë aty, mbrapa derës gati për t’u rifutur në shtëpinë e secilit për ta ribërë rrumpallë, nga e para. Për t’u futur në shtëpinë e secilit janë gati të bëjnë atë që bënë, një sulm çmendurak i organizuar për të kthyer kaosin dhe fantazmën e rrëmujës në Shqipëri, duke marrë peng aeroportin, duke bllokuar një aktivitet jetik të vendit e duke ndaluar mijëra shqiptarë që donin të niseshin dje, dhe mijëra të tjerë që vinin dje, duke ndaluar edhe të vdekurit që donin të varroseshin këtu, duke ndaluar lëvizjen e parasë, pasi nga aeroporti lëviz dhe paraja e bankave”, – vijoi Kryeministri.

“Duke ndaluar dhe të sëmurët. Kam marrë një mesazh nga një qytetar, nuk po ia përmend emrin, por me emër dhe mbiemër nga Vlora, i cili thoshte që kam gruan me tumor, jam në aeroport, kam nesër në mëngjes takimin e radhës me mjekët dhe po e humba takimin, më duhet të pres një muaj pastaj, sepse kanë jetuar në Itali”, – shtoi Rama.

“A e kuptoni se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta? Një plan i ndërtuar me ditë, duke menduar se ne do kapeshim gafil dhe duke patur parasysh se kontrollorët e ajrit janë një strukturë shumë e posaçme në të gjithë botën që nuk zëvendësohen dot kollaj dhe duhet shumë kohë. Dhe duke zgjedhur pikërisht këtë moment, që deri në 25 prill të mos vaksinohej asnjëri dhe këtu të shpërthente një revoltë dëshpërimi”, – tha Rama.

“A e kuptoni sa afër, sa pak e ndan këtë vend nga kthimi pas në të shkuarën, që duket sikur është e shkuar e harruar, për sa kohë janë këta njerëz që nuk lënë dy gurë bashkë për ta rimarrë peng vendin, drejtësinë, për ta rimarrë peng shtetin dhe për të shkatërruar të gjitha ato që kemi ndërtuar, njësoj siç ka ndodhur në historinë tonë si një mallkim që vazhdon”, – tha Rama.

“Po të shohim historinë tonë, në momente të caktuara është shfaqur një forcë që ka marrë peng vendin me lloj-lloj teknikash iluzive. Nuk mund dhe nuk do ta lejojmë këtë. Siç e patë nuk na kapën gafil, pasi kanë gjetur qeverinë dhe kryeministrin më të gabuar për të bërë sfida të tilla. Ne nuk jemi absolutisht më të mirët, nuk jemi të rënë nga qielli, kemi bërë gabime plot, në gjithë këtë periudhë qeverisje, madje kemi bërë më shumë se sa ato që dimë ne si gabime. Por një gjë është e sigurtë, që ne kemi treguar se jemi e vetmja forcë karakteri në politikën shqiptare dhe e vetmja forcë karakteri në përfaqësimin e shqiptarëve”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Edi Rama komentoi edhe argumentin e dhënë nga kontrollorët e trafikut ajror të cilët bllokuan punën pasi iu ulën pagat.

“Çfarë duhet të thonë mjekët dhe infermierët e pavijoneve COVID, duhet të lënë punën dhe të lënë pacientët të vdesin se ne jemi të stresuar? U japim 1000 euro plus, se ai është një stres i jashtëzakonshëm, e meritojnë. Çfarë duhet të thonë ata që shërbejnë në rrugët e Shqipërisë ditën e natën, uniformat blu, në shi e në diell, ‘duam paga më të larta ose e lëmë fare’? Çfarë duhet të thonë mësuesit që shkojnë atje e marrin COVID-in, e kështu me radhë po të nisemi nga shembulli i tyre. Po nuk ndodh kjo kështu. Edhe në Francë ankohen për pagat, ka ankesa dhe në Gjermani. Pastaj nëse ti tallesh me popullin tënd dhe e përdor si “mish për top”, çfarë bën ti?”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.