Basha, një kukull që e kurdisin/ Mandati i tretë, që drejtësia e re të shkojë aty ku s’kthehet dot më mbrapa

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “nëse sot gjërat marrin drejtim tjetër, të gjitha përpjekjet e bëra për të ndërtuar një drejtësi të re i merr lumi”.

Duke folur në aktivitetin Këndi i Fjalës në Gjirokastër, Rama tha se, “mandati i tretë nuk është për mua personalisht. Mandati i tretë është që gjërat të shkojnë në një pikë ku nuk kthehen dot më mbrapa. Që drejtësia të shkojë aty ku s’kthehet dot më mbrapa”.

“Nëse sot gjërat marrin drejtim tjetër, të gjitha përpjekjet e bëra për të ndërtuar një drejtësi të re i merr lumi”, tha Rama.

“Unë e di shumë mirë se drejtësia është akoma sot një krijesë e dobët, sapo po del nga embrioni. Institucionet e drejtësisë janë akoma në hapat e para dhe padrejtësitë janë akoma shumë. Ndërkohë që zullumqarët janë akoma jashtë duarve të drejtësisë. Por, nëse kthehemi sot mbrapsht, jo vetëm që drejtësia nuk do mund të vërë dorë mbi ta, por do të jenë ata që do të marrin prapë në dorë drejtësinë. Dhe e njëjta gjë do të ndodhë në të gjitha aspektet”, tha Rama.

“Ajo që ndodhi dje është treguesi që koha e rrumpallës mund të kthehet sa hap e mbyll sytë, në rast se ne, në rast se njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, nuk mobilizohen për ta bërë atë njëherë e mirë të pakthyeshme”, u shpreh Rama.

“Dhe këtu nuk ka lidhje jam socialist, jam demokrat. Këtu ka lidhje me diçka krejt tjetër. Sepse në fakt demokratët njerëzit e zakonshëm, jo ata të verbrit, jo ata shurdhët, jo ata fanatikët që janë gati të shkojnë të futen në ato dasmat infektive, por ata që janë në punë, nuk mund dhe nuk duhet ta shohin këtë si një çështje tifozllëku. Por duhet ta shohin këtë si një çështje interesash të drejtpërdrejta”, theksoi Rama.

“Me siguri në Qafën e Pazarit ka dhe sipërmarrës të vegjël që janë demokratë. Çfarë interesi kanë që të ndalojnë këtë rrugë ku ka hyrë Gjirokastra? Çfarë interesi kanë që të ndalojnë vazhdimin e Rilindjes Urbane në çdo derë, në çdo shkallë, në çdo sokak, në çdo fshat, për çdo objekt kulti? Çfarë interesi kanë që të ndalojnë përfundimin e programit të furnizimit me ujë të pijshëm, i cili ka nisur dhe i cili sot u jep ujë të pijshëm 24 orë shumë pjesëve të këtij qarku që deri dje s’e kishin parë ujin 24 orë asnjëherë në historinë e tyre? Çfarë interesi kanë që të ndalojnë të gjitha proceset e tjera të zhvillimit dhe të kthehemi prapë në historitë që i dimë?”.

“Ata janë po ata. Thashë sot në mëngjes që xhagajdurët janë ata që bëjnë ligjin andej, ndërkohë që Lulin e kanë nxjerrë përpara. Bën sikur nuk sheh çfarë ndodh dhe del dhe thotë që ‘e patë çfarë ndodhi në Rinas’, është përgjegjësi e Edi Ramës. Një kukull që e kurdisin: një herë flet, një herë s’flet, një herë bën sikur s’kupton. Nuk duhet, nuk mundet dhe në fakt, shumëkush thotë ‘po mirë mo, çfarë merresh me atë, lëreni atë, flisni për çfarë do bëni ju’. Por ky është një dallim i madh që duhet të jetë shumë i qartë, sepse rreziku është real, nuk është imagjinar, që Shqipëria të humbasë përsëri, siç ka humbur në të shkuarën nëse i jep një shans tjetër atyre që i kanë pasur të gjitha shanset”, tha Kryeministri.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.