Basha me të rinjtë në Divjakë: Shqipëria me standarde europiane nis me planin e qeverisë së ardhshme

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kreu i PD, Lulzim Basha, gjatë vizitës së tij në qytetin e Divjakës, është ftuar nga të rinjtë për piknik.

Duke i konsideruar si motori i fushatës, Basha tha se ndryshimi më 25 prill do të vijë për rininë e Divjakës dhe gjithë Shqipërisë.

Kreu i demokratëve tha se Shqipëria me standarde europiane nis me planin e qeverisë së ardhshme, që synon të prodhojë mirëqenie, vende pune, paga të larta, dinjitet për rininë dhe familjet e tyre dhe veçanërisht për familjet e reja.

“Përgjegjësia e parë është ajo që kemi shprehur në programin tonë, që të garantojmë arsimin dhe punësimin e rinisë, të garantojmë mundësitë dhe mirëqenien e rinisë. Kur ju keni qenë fare të vegjël, ne kemi menduar lëvizjen pa viza që e gëzoni ju dhe prindërit tuaj. Është një hap shumë i rëndësishëm drejt Europës. Tani na takon ne të gjithëve së bashku, qeverisë së re të Partisë Demokratike që do të vijë me votë pas 25 prillit dhe rinisë së Divjakës dhe gjithë Shqipërisë, të hedhim hapin final: ta çojmë Shqipërinë në Europë, ta bëjmë Shqipërinë europiane, do të thotë të sjellim standardet e Europës në Shqipëri; në radhë të parë që të mundësojmë që këto bukuri të mahnitshme të Divjakës dhe pasuritë e jashtëzakonshme të saj dhe të gjithë Shqipërisë të prodhojnë mirëqenie për të gjithë ju, të prodhojnë vende pune, paga të larta, dinjitet dhe gëzim për ju dhe familjet tuaja aktuale dhe familjet tuaja të ardhshme, për ata që do të themelojnë familjet shumë shpejt”, tha Basha.

“Këto janë synimet tona. Këto janë objektivat e programit tonë. Për këtë bëhet beteja më 25 prill. Do rrijë Shqipëria peng i 5 njerëzve me në krye Edi Ramën, apo do t’i kthehet Shqipëria shqiptarëve dhe në radhë të parë rinisë shqiptare? Dhe thirrja që kam për nënat shqiptare në veçanti, por edhe për baballarët shqiptarë është: mos lini t’ua vjedhin të ardhmen e fëmijëve tuaj dhe jam i bindur që kjo nuk do të ndodhë, sepse në 25 prill ata do të votojnë në radhë të parë për ju, për fëmijët e tyre, do të votojnë për rininë shqiptare, do të votojnë për fëmijët shqiptarë, për vogëlushët shqiptarë, sepse kështu kanë zgjedhur dhe kanë votuar edhe për veten e tyre”, u shpreh Basha.

“Angazhimi i parë i imi, i ekipit tonë, i qeverisë së ardhshme është që edhe Shqipëria ta fillojë me minimumi 100 milionë euro subvencione në vit që do të shkojnë drejtpërdrejt te fermerët dhe brenda një kohe shumë të shkurtër kjo do të sjellë uljen e kostos së prodhimit”, theksoi Basha.

“Tarifat e universiteteve për bachelor dhe për master do të zerohen për të gjithë ata që vijnë nga familje me të ardhura më pak se 640 mijë lekë në muaj dhe për familjet në vështirësi ekonomike qeveria do të marrë përsipër edhe koston e konviktit apo të qirasë, koston normale të jetës së studentit, të librave, ushqimit, transportit dhe do të bëjë të mundur me bursa sociale, bursa ekselence që të gjithë studentëve që dëshirojnë të studiojnë nëpër universitete, t’u jepet mundësia”, u shpreh Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.