Basha: Ajo që po ndodh me aeroportin e Rinasit, dështimi i radhës

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se këto zgjedhje janë për të bërë histori dhe për t’u çliruar nga dështimi.

“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Këto zgjedhje do të vendosin nëse do të ndryshojmë dhe anëtarësohemi në BE ose do të vazhdojmë me Ramën për akoma dhe më shumë dështime”, tha Basha në një reagim në rrjetet sociale.

Basha u shpreh se, “edhe ajo që po ndodh me aeroportin e Rinasit është dështimi i radhës i një njeriu që i ka vendosur interesat e tij mbi interesat e çdo shqiptari. Ndryshimi është në duart tuaja, është në votat tuaja”.

“Kudo shoh ngazëllimin e qytetarëve shqiptarë. Le të sjellim së bashku fitoren më të madhe në historinë e Shqipërisë! Le të arrijmë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”, u shpreh Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.