Bardhi me gratë në Cërrik: E ardhmja e fëmijëve, më e rëndësishme se flamuri i partive

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Drejtuesi Politik i PD për Elbasanin, Gazment Bardhi, gjatë një takimi me gra në Cërrik kërkoi angazhimin e tyre për të sjellë ndryshimin që do të ndalojë ikjen e fëmijëve dhe të rinjve jashtë, e do të krijojë shanse për të gjithë të ndërtojnë jetën e të ardhmen këtu.

Bardhi u shpreh se gratë dhe nënat janë ato që e kanë vuajtur më shumë keqqeverisjen 8-vjeçare.

“Këto zgjedhje ne duhet t’i shikojmë të gjithë si mundësi, së pari për t’i dhënë fund sakrificës 8-vjeçare që ka bërë secila prej jush, dhe së dyti, për t’u siguruar fëmijëve tuaj, por edhe vetes, për ato që janë më të reja, një mundësi, këtu në vendin tonë. Kudo që kemi shkuar, besoj që dhe me kontaket që ju keni pasur, keni dëgjuar vetëm një shprehje: më keq se kaq nuk ka qenë kurrë. Dhe në fakt më keq se kaq nuk ka qenë kurrë. Erdhi me premtime bombastike, çfarë nuk do të na ofronte, një pjesë e konsiderueshme e besuan, i dhanë edhe besim në 2013-ën. Pa kaluar tre muaj nga ardhja në pushtet, pa u mbyllur 2013-ta, ai filloi të bënte të kundërtën e atyre që kishte premtuar, u shpreh Bardhi.

Ai theksoi se nuk është e rëndësishme vetëm të ndodhë rotacioni, por duhet ndryshim I modelit të të bërit politikë. Kush merr besim nga njerëzit, tha ai, duhet të justifikojë këtë besim me realizimin e angazhimeve.

“Këtij modeli do t’i japim fund në 25 prill. Modelit që vjen merr besim dhe pastaj bën të kundërtën e atyre që ka marrë si angazhime. Prandaj dhe ne kemi një plan të thjesht pune. Nuk kemi marrë përsipër t’iu ofrojmë njerëzve mrekulli, se nuk bëjmë dot mrekulli, por kemi bërë një plan të thjeshtë pune. Do të mbështesim familjen, do të mbështesim të rinjtë, se jam i sigurt që, duke mbështetur të rinjtë, kemi mbështetur dhe prindërit  e tyre, se jam i sigurt që që po të pyesja tani zonjat këtu se për kë jetojnë, do më thonë për fëmijët e tyre. Duke iu vrarë shpresën fëmijëve tuaj, ju kanë vrarë shpresën dhe ju. Prandaj kemi vënë në fokus familjen dhe mbështetjen ndaj të rinjve”, tha Bardhi.

Ai i ftoi gratë e Cërrikut të angazhohen në ditët e mbetura deri me 25 prill për të bërë të mundur ndryshimin, por u kërkoi të qendrojnë të angazhuara edhe më pas, për të monitoruar dhe marrë pjesë në zbatimin e planit që PD ka marrë përsipër.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.