Ahmetaj: 75 familje të dëmtuara nga tërmeti tek njësia 4 me shtëpi të re tek 5 Maji

TIRANË, 8 prill/ATSH/ 75 familjet e dëmtuara nga tërmeti 26 nëntorit në zonën e njësisë administrative numër 4, në pallatin e njohur si pallati i “Komunales”, do të marrin banesa të reja me dokumente pronësie tek lagjja “5 Maji” brenda shkurtit 2022.

Lajmin e mirë ua u ka dhënë banorëve, ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, njëherësh kandidat i Partisë Socialiste për deputet në zgjedhjet e 25 prillit, i cili ishte këtë të enjte, në një takim me banorët e njësisë 4.

Ai tha se banesat e reja do kenë dokumente pronësie, si dhe do jenë në madhësi sipas banorëve për frymë.

“Këtu kemi pallatin që e quajnë të gjithë pallati i Komunales dhe këtu asnjëri s’ka dokumente pronësie ose shumë pak kanë një dokument të tillë. Tani, në një botë tjetër, ju do kishit ngelur pa shtëpi pas tërmetit. Unë kam ardhur këtu për të ndarë me ju lajmin e mirë, që ju do keni  të gjithë shtëpi, ashtu siç të gjithë ata që janë dëmtuar nga tërmeti, sipas frymëve të familjes”, u shpreh Ahmetaj.

“Nëse një familje ka dy veta, do marri 60 metra katrorë, ndërsa kur një familje ka 3 veta do marri 75 metra katrorë, ndërsa katër e sipër 105 metra katrorë. Kjo godinë do rrëzohet dhe ju do trajtoheni si ata që kanë prona të palegalizuara. VKM për këto raste është se do t’ju njihet 100% e pronës dhe ju do të transferoheni të gjithë tek 5 Maji. 75 familje do të shkojnë të jetojnë tek 5 maji. Jam shumë i lumtur, lum si ju që do keni shtëpi të re”, – tha Ahmetaj.

“Jo pa qëllim nuk kam ardhur përpara këtu. Desha që ta konkludoja, që ta qepnim mirë gjithë këtë gjë që t’ju jepja këtë lajm. Ju të gjithë keni bonus qiraje, të gjithë. Këtë zonë do ta bëjmë shesh lodërash për kalamajtë. Kjo do rrëzohet, ju do shkoni tek 5 Maji dhe kjo zona do kthehet në shesh lojnash për kalamajtë, në sheshin më të bukur, spektakolar për fëmijët, me kënde sportive, zona rekreative dhe stola edhe për të moshuarit. Do të merrni shtëpi me tapi, me letra e do të shpëtoni. Pra, juve do t’i keni ato shtëpi, t’i gëzoni e t’i trashëgoni”, – tha Ahmetaj.

“Ndaj me ju lajmin fantastik, që në krye të 9 apo 10 muajve ju do jeni në shtëpitë tuaja të reja. Si do jetë procedura. Ju keni dalë fitues në bazë të vlerësimit që është bërë përmes sistemit për shtëpitë e reja. Kjo godinë ka qenë pa letra, DS5, demolohet, familjet tuaja do të transferohen tek 5 maji. Për mua s’ka lumturi më të madhe. Çfarë do të thoja unë për programin, për fëmijët për familjet, për taksat, për ekonominë, ju do më thonit, por një familje pa shtëpi, nuk është dot familje. Kështu që unë prandaj erdha këtu të ndaj këtë lajm të mirë. Erdha këtu me mendimin, që këtyre qytetarëve s’do t’i flas për asgjë tjetër, veçse për shtëpitë e tyre”, – nënvizoi Ahmetaj.

“Edhe njëherë zëre se jam familjar i juaji dhe jam shumë i lumtur që ju jap këtë lajm. Këtë e ka thënë Edi Rama, e ka thënë ligji, dhe pas Edi Ramës dhe ligjit, e them dhe unë. Me shumë kënaqësi ju ftoj të votoni numrin 12 të PS dhe më pas votoni dhe numrin 5. Jepini fuqi numrit pesë të PS dhe PS dhe jini të bindur që e ardhmja juaj është shumë herë, shumë herë më e mirë se ajo që ka qenë deri më tani. Mos u gënjeni nga askush”, – bëri thirrje Ahmetaj.

“Bonusin e qirasë do ta merrni deri ditën e fundit që futeni tek 5 maji. Ditën që demolohet ky pallat nuk paguani më tek enti rregullator dhe në shkurt të vitit 2022, ju do jeni në shtëpitë tuaja të reja dhe 5 maji do jetë një nga qendrat më të bukura të Tiranës. Këtu siç ju premtova, toka është pronë e bashkisë, nuk ndërtohet më këtu. Këtu do bëjmë një park spektakolar, me fusha futbolli, drita, kënd lojërash”, – tha Ahmetaj.

“Ju jeni familje me dinjitet. Me jetën tuaj s’mund të luajë askush. Unë jam fatlum që kam mundësi t’ju jap këtë lajm të mirë në emër të Edi Ramës, të qeverisë dhe emrin tim. Tek 5 maji poshtë nuk shkoja dot, pa marrë vendimin në dorë të qeverisë, që ata aty do merrnin 100% të metrave katror që kishin. Tek pallati nr 4 nuk shkoja pa iu treguar projektin. Shkova tek 5 maji, iu tregova vendimin, u lumturuan. Tek familjet tek “Myslym Keta”, pallati katër, ju tregova projektin fantastik dhe këtu nuk vija për t’ju takuar pa e mbyllur me kryeministrin tim, këtu e kemi vendimarrje të plotë. Ju do jentoni tek 5 maji, këtu do bëhet një nga këndet më të bukura të njësisë katër. Lum si unë që kam mundësi ta mbaj fjalën që ju ka premtuar Edi Rama dhe PS”, – theksoi Ahmetaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.