Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” publikon oraret e fluturimeve, Bergamo dhe Dortmund të anuluara sot do të bëhen nesër

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Tirana International Airport (TIA) publikoi sot oraret e fluturimeve të ditës së premte, pas rinisjes së punës dhe plotësimit të kontrollorëve ajrorë. TIA njofton se oraret janë subjekt ndryshimi nga kompanitë ajrore.

“Dy fluturimet e sotme që nuk u bënë, Bergamo dhe Dortmund, do të bëhen nesër sipas orarit të publikuar. Pasagjerët e këtyre dy fluturimeve të paraqiten nesër në TIA me të njëjtën biletë”- njoftoi TIA.

TIA bën apel që të gjithë pasagjerët të kontaktojnë kompanitë ajrore përpara udhëtimit dhe shtetet pritëse për rregullat e karantinës dhe të respektojnë protokollet e higjenës. Maskat janë të detyrueshme.

Sipas TIA-s, lejohen të udhëtojnë vetëm rezidentët në Bashkimin Europian, nënshtetasit e BE-së dhe qytetarët që plotësojnë kushtet e udhetimit, sipas vendeve pritëse.

Në lidhje me afatin e tamponit, TIA njofton që qytetarët të kontaktojnë kompanitë ajrore nëse do të pranojnë tamponin që kanë bërë. “Pranimi i tamponit, është subjekt i kompanive me të cilat fluturoni”, thuhet në njoftimin e TIA-s. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.