120 kantiere në gjithë vendin/ Trashëguam një shtet copë e çikë, brenda vitit 2022 ujë i pijshëm 24 orë në gjithë zonat urbane

TIRANË, 8 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Dropulli se “sot ne kemi 120 kantiere në gjithë Shqipërinë që vazhdojnë shtrirjen e linjave të reja të ujësjellësit dhe brenda vitit të ardhshëm mungesa e ujit të pijshëm 24 orë në të gjitha zonat urbane të Shqipërisë do të jetë një histori e së shkuarës”.

Në një takim elektoral nga Dropulli, Rama u ndal te zgjidhja e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm.

“Këtu ne kthehemi dhe gjejmë njerëzit me 24 orë ujë në shtëpitë e tyre në një pjesë të konsiderueshme të bashkive. Natyrisht që nuk mund të them se nuk kanë të drejtë se akoma flitet për ujin në vitin 2021 në mes të Europës, por ja që kjo shprehje legjitime duhet të shërbejë për të kuptuar dhe kujtuar se kush na qeverisi për dekada të tëra”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk ishte dhe nuk është përgjegjësia jonë që ne trashëguam në të katër anët një shtet të bërë copë e çikë që nuk furnizonte dot njerëzit e vet me energji elektrike dhe ujë”.

“Dhe nëse problemi i energjisë elektrike ishte një plagë e hapur nga një keqqeverisje barbare kjo e ujit ishte një plagë e trashëguar nga dekada të tjera më parë, sepse uji 24 orë këtu dhe në plot zona të Shqipërisë nuk ka pasur as përpara sesa të ndryshonte regjimi”, tha ai.

Rama shtoi se “ne na është dashur të ngremë një sistem të tërë, por për këtë duhet kohë se shumë njerëz shikojnë se vizitojmë kantieret dhe thonë u kujtuat tani”.

“Por ato që janë sot kantiere janë projekte të bëra me kohë. Para se projektet të bëheshin u desh të bëhej inventari i situatës, reforma e gjithë sistemit të furnizimit me ujë, u desh të sistemohej gjithë administrimi i ujësjellësave bashkë me strukturën e re administrative të vendit dhe pastaj pas projekteve u desh të gjendet financimi”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.