11 mijë mësues në sistem përmes portalit “Mësues për Shqipërinë“/ Sporti, arti e zejet dy programet e reja parauniversitare

TIRANË, 8 prll /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Gjirokastër një bashkëbisedim  me pedagogë të Universitetit “Eqrem Çabej” dhe mësues, për sfidat e arsimit dhe disa elementë me rëndësi të Planit të Veprimit 2021-2025.

Rama, u shpreh se “është e rëndësishme të vihet theksi te nevoja për të ecur përpara dhe për të mos u kthyer pas. Gjërat që janë arritur shërbejnë si një bazë për t’u ngjitur më lart dhe si një garanci që dimë jo vetëm se ku do të ngjitemi, por dhe si do të ngjitemi, duke qenë të vetëdijshëm për boshllëqet që duhen mbushur dhe vështirësitë që duhen kapërcyer”.

Kryeministri tha se, sot ka shumë dëshmitarë, për arritjet e reformës në fushën e arsimit.

“Janë 11 mijë mësues që kanë përfituar nga mundësia re që u është dhënë për të hyrë në sistem përmes meritës, falë portalit “Mësues për Shqipërinë“ dhe transparencës që garanton ky portal”, – tha Rama.

“Ka edhe plot dëshmitarë në arsimin e lartë, pavarësisht se jemi në një rrugë që vazhdon dhe reforma në arsimin e lartë është ende një e përpjetë, dhe patjetër që ka dhe shumë arsye për të besuar që rruga është e duhura, dhe nuk na mbetet veçse të ecim në drejtimin e caktuar”, tha Rama.

Rama tha se në arsimin parauniversitar jemi më të avancuar në raport me librat dhe jetësimin e planit të transformimit.

“Ndërsa në arsimin universitar kemi bërë një reformë shumë kurajoze, kemi zgjeruar shumë ndjeshëm autonominë e universitetit. Kemi krijuar disa kushte të reja për studentët, por edhe për pedagogët. Por jemi përpara sfidës për të rinjtë dhe të rejat që hyjnë në universitet dhe pastaj mbeten në periferi ose jashtë tregut të punës”, shtoi Kryeministri.

Rama theksoi se, “ne kemi nevojë që në arsimin parauniversitar të fuqizojmë shumë nivelin e rolit të drejtorëve të shkollave. Duhet të kërkojmë rritje të kapacitetit menaxherial të drejtorëve të shkollave. Është një kohë e re me shumë sfida të reja për prindërit, fëmijët e mësuesit, pasi kanë ndryshuar shumë ritmet e jetës mes rrugës së kontaktit dhe asaj virtual. Në këtë kontekst duhet t’i japim më shumë peshë jetës së shkollës dhe jetës në komunitetin e shkollës”.

“Duam t’i japim jetë dy programeve të reja në sistemim parauniversitar: programi i madh kombëtar për Sportin dhe për programi kombëtar për Artin dhe Zejet, në mënyrë që të krijojmë sa më shumë mundësi për fëmijët tanë. Që të kenë më shumë aktivitet fizik, më të harmonizuar me dëshirën e tyre, sesa ato orët e edukimit fizik që kemi rikthyer në shkollë, dhe gjithashtu një program për artin e zejet, që duhet të mbushë kohën jashtë mësimit për fëmijët, duke e mbajtur më afër me realitetin, ndërsa fëmija është vazhdimisht në kërkim të arratisjes nga realiteti për t’u futur në ato labirinthet e botës virtual, me personazhe nga më të ndryshmit që vijnë drejt tij në mënyrën më të pakontrolluar dhe të pasistemuar”, – tha Rama.

“Ne kemi një trupë mësimore të mirëpërgatitur që na duhet ta stimulojmë më tepër, ndaj do të rrisim pagat e mësuesve me 40 %, ashtu sikurse do të rrisim pagat e bluzave të bardha me 40 % në këtë mandat të tretë. Ndërsa tek universitetet na duhet një bashkëpunim shumë më i afërt për një qasje strategjike, pasi kemi folur për programet që duhet të kenë ato, që t’i përshtaten tregut të punës, apo që i duhen vendit, por na duhet ta kthejmë nivelin e bashkëpunimit me universitetet e huaja në një tjetër histori, sepse jemi në një nivel sipërfaqësor me shkëmbime, me programe po që janë pa impakt real në thellësi”, – tha Rama.

Për këtë arsye, vijoi Rama, “ne do të vendosim një fond të konsiderueshëm për të stimuluar universitetet duke e vënë atë formë në dispozicion të gjithë atyre universiteteve që do të ecin më shpejt në këtë drejtim dhe do të ristrukturojnë marrëdhënie cilësore me universitetet e tjera”.

Rama tha se, “universitet janë me vetëfinancim, por nuk mund të jenë pjesë e një inercie që në fund nuk prodhon cilësi”.

Rama solli shembullin e Universitetit të Janinës që është shumë afër me Gjirokastrën, se çfarë transformimi i ka sjellë ky universitet, Janinës, duke e kthyer në një qytet siç tha ai, “me një jetë dhe ekonomi dinamike që është mbresëlënëse, dhe e gjitha lidhet me universitetin”.

“Pra universiteti është motori kryesor i ekonomisë së vogël të Janinës, me mijëra studentë dhe pse ne mos të kem një ndërlidhje më të afërt me një universitet që është pak hapa larg, duke i dhënë një sinergji, duke i dhënë mundësi studentëve shqiptarë ose dhe të huaj, që të kenë destinacion Gjirokastrën, duke marrë programe, mësim për të arritur deri në një nivel diplome të unifikuar, që vlen po njësoj me këtë universitet. Duhet të jemi këmbëngulës dhe kreativë. Pas 25 prillit do të ulemi e do të punojmë fort me universitetet, pasi pedagogët kanë ide, por na duhet të organizohemi ndryshe bashkë me pedagogët, për të pasur një strategji të qartë se ku po do shkojnë universitetet në të ardhmen”, – përfundoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.