Vijon vaksinimi masiv antikovid edhe në Përmet/ Tashmë vaksinohen të moshuarit mbi 70 vjeç

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Në qytetin e Përmetit vijon vaksinimi masiv i të moshuarve mbi 70 vjeç.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kandidataja për deputete e Partisë Socialiste në Përmet, Mirela Kumbaro, ndoqi nga afër procesin e vaksinimit.
“Ecim papushim me vaksinimin masiv në qendrat e qyteteve e gjithashtu në qendrat shëndetësore në fshatra, afër vendbanimit për gjyshet dhe gjyshërit më të moshuar”, – tha Rama.
Të moshuarit e falënderuan Kryeministrin Rama për kryerjen e vaksinave.

Në qytetin e Përmetit me mbi 26 mijë banorë ka filluar procesi i vaksinimit masiv si në të gjithë vendin. Sot po vaksinohen të moshuarit mbi 70 vjeç.

Ndërkohë ka përfunduar vaksinimi i bluzave të bardha dhe vijon vaksinimi në qendrat shëndetësore dhe pikat e përqendruara me të moshuarit.

Në Përmet ka përfunduar procesi i vaksinimit me mësuesit dhe është në proces vaksinimi i efektivëve të policisë.

Më shumë se 220 mijë vaksinime antikovid janë kryer deri sot nga nisja e fushatës “Shqipëria Buzëqesh” në vendin tonë.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.