Tepelena pikë strategjike e turizmit juglindor/ Së shpejti rindërtimi i rrugës Korçë-Kolonjë, nis procedura për aksin nga Erseka në Leskovik e Përmet

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij, në Këndin e Fjalës në Tepelenë tha se ky qytet është pikë strategjike e turizmit juglindor.

“Tepelena nuk është vetëm një destinacion turistik ku vijnë turistë, por pikë strategjike për turizmin e të gjithë Shqipërisë juglindore, sepse sot Tepelena mban lidhur edhe njërën anë, që është Gjirokastra, Përmeti dhe së shpejti dhe Kolonja e Korça, me rrugën që do të rindërtohet. Është bërë projekti, është gjetur financimi, ka nisur procedura për ndërtimin e aksit rrugor nga Erseka në Leskovik e Përmet. Kështu pra, Tepelena është tamam një udhëkryq i madh, ku duhet të kalojnë të gjitha rrymat e vizitorëve, qoftë vendas e të huaj, për të eksploruar bukuritë e natyrës dhe traditën mikpritëse dhe për të dëgjuar këngët e kësaj treve”, – tha Rama.

Kryeministri Edi Rama, solli Nivicën, si një model kuptimplotë të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë.

“Ju e shikoni çfarë po ndodh në Nivicë, që po shkëlqen dhe do të bëhet pikë referimi. Kush e kishte imagjinuar se në Nivicë do të kishte investim të huaj për turizëm nga një grup investitorësh suedezë, janë dallëndyshet e para për një pranverë të madhe për turizmin e kësaj zone. I them të gjithë emigrantëve të kthejnë sytë nga rrënjët, nga stërgjyshërit e tyre, nga fshati i tyre dhe të investojnë pa frikë kursimet e tyre, t’i kthejnë shtëpitë në bujtina, duke promovuar dhe tregtuar traditën e blegtorisë, ushqimit, sepse duhet të jenë të bindur se nga ajo që do të investojnë këtu, do të marrin fitim më të madh se ajo që fitojnë sot kudo ku punojnë në botë. Unë s’po them të vijnë të jetojnë këtu, por të investojnë këtu e do të shohin shumë shpejt hajrin, Shqipëria do të bëhet kampione e turizmit në Ballkan, traseja është shtruar, duhet vetëm kurajo dhe vendosmëri për të shkuar përpara me investime të mëdha që janë në fazën e nisjes nga njëri tek tjetri”, – nënvizoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.