Skema Kombëtare e mbështetjes në Bujqësi/ Krifca për ATSH-në: Mbi 12 mijë aplikime në dy javët e para të thirrjes

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Në dy javët e para të çeljes së aplikimeve në Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2021, janë kryer 12 689 mijë aplikime të fermerëve, në shkallë vendi.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, u shpreh se kjo është një shifër tejet e lartë krahasuar me vitin e kaluar që tregon për interesin e shtuar të fermerëve për të përfituar nga masat mbështetëse të kësaj skeme.

Fermerët kanë aplikuar online në portalin e-Albania, për një nga nëntë masat mbështetëse që ofron kjo skemë, me zero dokumente dhe zero kosto.

Në prononcimin për ATSH-në, Krifca sqaroi se fermerët mund të aplikojnë për një nga nëntë masat mbështetëse që ofron Skema Kombëtare këtë vit, për sektorët: blegtori, bletari, zëvendësimi i plastmasit në serra, bimë mjekësore, ferma organike, certifikim Global GAP, investime në agroturizëm, bujtina dhe mekanikë bujqësore.

Fermerët kanë afat të aplikojnë për mbështetje në Skemën Kombëtare 2021, deri  në datën 15 prill të këtij viti. Shqyrtimi dhe shpallja e fitueseve do të nisë menjëherë pas mbylljes së afatit të aplikimit, në mënyrë që të mos krijohen vonesa”, – tha Krifca.

Fokusi kryesor i dhënies së fondeve këtë vit është për sektorin e blegtorisë, i cili merr 60 % të totalit të skemës kombëtare të subvencioneve në bujqësi, ndërsa fluksi më i lartë i aplikimeve vjen nga zona e Fierit, Korçës, Lushnjës, Vlorës Beratit etj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.