Shqipëria dhe spitali Covid 1, kontribut në provat klinike globale të Solidaritetit të OBSh-së

TIRANË, 7 prill/ATSH/Përfaqësuesi i OBSh-së dhe drejtuesi i Zyrës për Shqipërinë, Dr. Gerald Rockenschaub, zhvilloi një takim shumë frytdhënës me Prof. Dr.Najada Çomo, shefe e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe spitaleve COVID 1, 3 dhe 4.

OBSH njoftoi se të dy bashkëbiseduesit theksuan përpjekjet e mëdha të punonjësve shqiptarë të shëndetit për përballimin e sfidave të menaxhimit klinik të rasteve dhe diskutuan ecurinë e fushatës së vaksinimit  antikovid.

Prof. Çomo vlerësoi bashkëpunimin me OBSh-në, dhe veçanërisht, mbështetjen me ekspertizë ndërkombëtare, trajnime dhe fuqizimin e kapaciteteve.
Dr Rockenschaub përgëzoi punonjësit shëndetësorë të vijës së parë të frontit për përpjekjet e tyre të palodhura për shpëtimin e jetëve njerëzore dhe kontrollin e përhapjes së pandemisë.
Të dy palët vlerësuan rolin shumë të rëndësishëm të Shqipërisë dhe spitalit COVID 1 për të kontribuar në Provat Klinike Globale të Solidaritetit të OBSh-së si një shprehje e solidaritetit shqiptar.
OBSh-ja vlerësoi gjithashtu edhe rolin thelbësor të Prof. Çomo si Drejtuesja Parësore Shkencore Kombëtare dhe anëtare e Komitetit Drejtues për shkëmbimin e përvojës dhe ekspertizës shqiptare me Grupin Këshillues Terapeutik COVID-19 të OBSh-së.
Gjithashtu, u diskutuan edhe mundësi të mëtejshme bashkëpunimi, duke përfshirë sfidat e lindura rishtazi, siç është menaxhimi multidisiplinar që kërkohet për pacientët “Long Covid”, përditësimi i protokolleve dhe udhëzimeve të trajtimit COVID-19, si dhe bashkëpunimi me trajnime për forcimin e kapaciteteve për menaxhimin e rasteve ambulatore. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.