Shehi kundër grumbullimeve elektorale të Bashës, apel shqiptarëve: Vaksinohuni për të mirën tuaj

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Kreu i LZHK dhe njëkohësisht kandidati për deputet i koalicionit opozitar, PD-AN, në Tiranë, Dashamir Shehi u shpreh sot në një intervistë televizive se është kundër takimeve elektorale të kreut të PD Lulzim Basha ku shfaqet në mes të turmave të mëdha të njerëzve duke mos respektuar masat antikovid.

“Nuk jam dakord me këtë punë, por nuk është se Rama po shpëton shqiptarët, se pas orës 8:00 ik shihi zyrat e PS që janë plot. Nuk është se po i vjen dëmi Shqipërisë nga takimet e Bashës. Kur bën takime të organizuara, Basha i ka takimet me maska, Rama i mbledh në zyra”, tha Shehi.

I pyetur për vaksinimin masiv të shqiptarëve Shehi u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

“Unë jam nga ata pak opozitarë, që e kam thënë që të gjitha vaksinat janë të vlefshme. Vaksinohuni shqiptar, se po vaksinoheni për të mirën tuaj”, tha Shehi.

Shehi u ndal edhe në zhvillimet politike, e më konkretisht te takimi i zv.ndihmëssekretarit të Shtetit të SHBA, Matthew Palmer me krerët e politikës shqiptare.

“E lexova që Rama duhet të ikë deklaratën e Palmer, sepse nuk ka pse e thërret kryeministrin, presidentin, liderin e opozitës në takim, i thirri si konkurrentë në garën elektorale. Palmer e barazoi Bashën me institucionet. U tha ju jeni të barabartë përpara Amerikës, kështu nga ky moment presidentin dhe kryeministrin i vuri pa spaleta para Bashës”, tha Shehi.

Sa i përket fushtës elektorale dhe zgjedhjeve të 25 prillit, Shehi tha se PD-ja ende nuk ka fuqinë që ta mundë e vetme PS, e për këtë i nevojitet patjetër LSI-ja.

Ai shtoi se pas zgjedhjeve opozita ka nevojë për debat të brendshëm, e duke u ndalur te rezultati i 25 prillit, ai tha se do të jetë i pranuar nga palët, edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve.

Shehi nuk e ka përjashtuar mundësinë e një bashkëpunimi me partinë e Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit.

“Patozin dhe Topallin, nuk i shoh si kundërshtarë. Do doja që këta të ishin të gjithë këtu. Nuk u arrit, por nuk e quaj një dramë të madhe, nuk e quaj të pamundur bashkëpunimin. Uroj që të ruajnë frymën opozitare, kundërshtari është Edi Rama”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.