Rruga Përmet-Çarshovë në ndërtim/ Së shpejti, nis kantieri i aksit Përmet-Kolonjë-Korçë, zgjeron ofertën turistike

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e rrugës Përmet–Çarshovë, duke e cilësuar si një mundësi të re për shijuar mrekullinë e natyrës përmetare.

Ndërkohë, u shpreh ai, “së shpejti jemi në kantierin e rindërtimit të rrugës Përmet-Kolonjë-Korçë, e cila do të zgjerojë ofertën turistike të Korçës dhe Përmetit e Gjirokastrës, teksa lidhja e Tepelenës me Lumin e Vlorës e daljen në Borsh, do të rrëzojë moton e vjetër të Përmetit, që thotë “vetëm det nuk kemi”; motoja e re do të jetë, “kemi edhe det, po hajdeni në Përmet”.

Drejtuesja e listës së PS në qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro tha se, “rruga Përmet-Çarshovë, është një rrugë shumë e bukur piktoreske për Përmetin”.

“Ka qenë tërësisht e amortizuar gjatë kësaj periudhe. Mendoj që zhvillimi i këtij investimi do ta zhvillojë shumë, do t’i japë një hap më të mëtejshëm zhvillimit të turizmit këtu në Përmet. Përmeti tashmë nuk do të jetë një xhep që vjen në Përmet dhe pastaj kthehesh, por turisti mund të vazhdojë rrugën për në Çarshovë. Kemi përsëri lidhjen e Përmetit me të Tre Urat. Është një aks rreth 28 kilometra. Patjetër që ka qenë një aks shumë i vështirë”, tha Kumbaro.

“E di se e kemi bërë këtë aks edhe na janë thyer brinjët. E kemi premtuar, tani është në rrugën e realizimit. Po ajo që dua të përsëris dhe që ka një rëndësi strategjike, jo vetëm për Përmetin dhe Korçën, por për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në gjithë këtë pellg, duke dhënë e marrë në mënyrë që të diversifikohet oferta. Dhe kush shkon në Korçë të ketë mundësi të kalojë dhe këtej, të shohë Tepelenën, të shohë Gjirokastrën. Kush vjen në Gjirokastër të ketë mundësi të kalojë dhe andej të shohë Kolonjën, të shohë Korçën, Devollin, Pogradecin. Të përfitojë nga rruga Ersekë-Leskovik dhe Përmet. Mbyllet vitin e ardhshëm Korçë-Erseka. Loti i tretë hapet vitin e ardhshëm. Ndërkohë që është bërë një rrugë fantastike pjesa që është ndërtuar, e ka lehtësuar shumë ndërlidhjen, por bëhet për 15 minuta e pak Korçë-Ersekë”, tha Rama.

“Me Ersekë-Leksovik-Përmetin, ndryshon gjithçka. Procedura është hapur me programin e financimit të BB që është programi i zhvillimit të turizmit në gjithë këtë pellg. Natyrisht kush e ka pritur më parë duhet të ftillohet për faktin që nga e thëna në të bërë është në mes deti i procedurave, i projekteve, i kontratave dhe sidomos kur punojmë me donatorët këto kanë një kohë më të gjatë sesa kur punojmë vetë. Por ama jemi tani në fazën që mandati i tretë do jetë mandati i ndërlidhjes së plotë dhe i një bumi të mëtejshëm të turizmit, të punësimit, të rritjes së zinxhirit të vlerës dhe të vlerës së shtuar në këtë zonë”, tha Rama.

“Ka edhe një element tjetër që është shumë i rëndësishëm, sado që deri dje dukej si ëndërr sureale. Që faktikisht Korça, Kolonja, Leskoviku, brenda Kolonjës, Përmeti, Gjirokastra, Tepelena dalin në det për 45 minuta nga këtu dhe ndërkohë për 1 orë e 45 minuta nga andej. Dhe turistët që vijnë poshtë në Jon, nëpërmjet Gusmar-Kuçit lart ngjiten në mal, mund të shkojnë në Korçë, mund të shkojnë në Gjirokastër. Do të jetë një game-changer i jashtëzakonshëm”, tha Rama.

Bashkia e Përmetit ka tabelën dhe sloganin e saj në hyrje të qytetit, ku thotë se përveç detit i gjen të tëra.

Rama u shpreh se, “deti bëhet ofertë komplementare, tani u thuhet ‘kemi dhe det, po rrini në Përmet’”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.