Reshjet intensive/ ARRSH: Shtyhen për nesër punimet në autostradën Tiranë-Durrës

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se nisja e punimeve për shtresat asfaltike në autostradën Tiranë-Durrës, segmenti Qafë Kashar – Ura e Dajlanit Durrës, shtyhet për nesër, ditën e enjte.
“Në vijim të njoftimit të mëparshëm, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë se për shkak të reshjeve të shiut punimet për riparimin e shtresave asfaltike në aksin “Autostrada Tiranë–Durrës, segmenti Qafë Kashar–Ura e Dajlanit” të parashikuara për të filluar në datë 7 prill 2021, do të shtyhen për ditën e nesërme datë 08 prill 2021”, thuhet në njoftimin e ARRSH-së.
Sipas ARRSH-së, vijimësia e punimeve do të jetë në varësi të kushteve të motit.
Ndërkohë, autostrada Tiranë-Durrës do të jetë e lirë për qarkullimin e mjeteve.
“Sqarojmë se sipas Planit të Menaxhimit të Trafikut të rishikuar, qarkullimi i mjeteve do të realizohet në një korsi të Autostradës Tiranë–Durrës dhe gjatë peridhës kohore, që do të realizohen punimet, mjetet udhëzohen të përdorin edhe kalime të tjera në rrugën dytësore, që nga Mbikalimi Kamëz, degëzimi për QTU etj.”, sqaron ARRSH.
Punonjësit e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe kompanisë së mirëmbajtjes do të jenë në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut sipas planit të menaxhimit të miratuar. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.