Rama në Tepelenë: Me “oligarkët” e punës në bujqësi dhe agroturizëm

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se “po bëjmë realitet ëndrrën shumëvjeçare të lebërve të sipërm për të dalë poshtë në det, por po bëjmë realitet një ëndërr tjetër të transformimit të aksit Përmet-Leskovik-Ersekë në një aks me standarde”.

Gjatë një takimi me oligarkët e punës në bujqësi në agroturizmin “Lord Byron” Tepelenë, Kryeministri Rama theksoi se, “ky aks do të lidhë bashkë Korçën me Përmetin dhe përmes tyre edhe Përmet-Gjirokastër dhe e gjithë zona të dalë në det nëpërmjet Përmetit”.

“Kjo do ta zgjerojë shumë ofertën, do të bëjë që kush niset për në Korçë të mos jetë shko në Korçë dhe kthehu. Po ashtu ata në Përmet e Gjirokastër, e po ashtu edhe ata që vijnë në Jon gjatë verës të kenë mundësi të vijnë lart në Nivicë, dhe po ashtu të shkojnë prapë në Gjirokastër, etj.”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “kjo është një lloj oferte që turistët e huaj e ëndërrojnë, vendet që krijojnë këto lloj pellgjesh të gjera me kaq shumë diversitet në ofertën e tyre krijojnë shumë vlerë të shtuar me turizmin”.

Më tej Rama tha se “jemi këtu në Tepelenë, ku falë Tërmetit dhe mbështetjes që jemi munduar të japim, por Tërmeti është aktori kyç këtu, e kemi kthyer Tepelenën në një destinacion”.

“Deri dje ishte kalo anash dhe ik, një ujëvarë të vogël dhe një pikë karburanti. Ndërkohë që gjithë mrekullia brenda ishte e fshehur”, – shtoi Rama.

Kryebashkiaku Peçi tha se “ne kemi ende shumë punë akoma për të bërë”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.