Punohet për zgjerimin e zonës turistike dhe tregtare të Përmetit/ Rritje e turizmit dhe e vlerës së pronës

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Në qytetin e Përmetit vijon me ritme të larta puna për zgjerimin e zonës turistike dhe tregtare të Përmetit.

Kryeministri Edi Rama, shoqëruar nga kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në Përmet, Mirela Kumbaro dhe ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, panë nga afër punën që po bëhet në këtë zonë.

Kumbaro tha se, “deri këtu është ndalur faza e parë e projektit të rilindjes urbane, ndërsa tani sapo ka filluar kantieri ku Përmeti është pjesë e projektit të përbashkët me Bankën Botërore dhe do të vazhdojë deri në fund kualifikimi i plotë i shëtitores deri tek shtëpia e Kongresit, me trotuare me sistem të ri ndriçimi, me lulishte, por edhe me pistë biçikletash”.

“Ka pasur shumë interes për këtë për shkak të tipologjisë së turistëve që vijnë në Përmet gjatë gjithë vitit qoftë nga Gjirokastra e Leskoviku që janë turistë të apasionuar pas sporteve natyrore që vijnë me biçikleta, me shëtitje me kuaj”, tha ajo.

Kumbaro u shpreh se, “kemi interes edhe nga ana e bizneseve se janë përgatitur të gjithë për të ndjekur modelin që kanë ndjekur edhe në Gjirokastër edhe në Korçë, në Vlorë për të bërë edhe ata investimet e tyre”.

“Kjo është rrugë tregtare, qoftë me restorante, bare e dyqane të ndryshme. Projekti ka filluar zbatimin. Ka tre pjesë ky projekt që janë vazhdimi i shëtitores deri në fund ku mbaron projekti, pjesa tjetër është rikualifikimi i Përroit të Bardhë, që do të jetë me rikualifikim urban, me gjelbërim, me vende shplodhëse, stola dhe pjesa e tretë është lagjja historike që do të bëjmë atë që kemi bërë në Gjirokastër, Vlorë, që është restaurimi i plotë”, tha Kumbaro.

Sipas saj, kantieri ka rreth tri javë që është hapur, ka krijuar një frymë të re.

“Përmeti e përjetoi pjesën e parë të zhvillimit të rilindjes urbane dhe ka parë rritjen e turizmit, rritjen e vlerës së pronës. Ajo që po ndodh dhe për mua është shenja më pozitive ndonëse nuk ka shumë hotele që po ndërtohen se përmetarët i bëjnë gjërat avash por mirë, shtëpitë e vjetra ose edhe apartamente të kohës para ’90 po transformohen në dhoma hoteliere me oferta akomodimi. Sot kemi rreth 600 shtretër që është pak në krahasim me numrin në rritje të turistëve. Në 2019 që ishte vit pa pandemi ishin rreth 29 mijë turistë brenda sezonit të verës”, – tha Kumbaro.

Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma Hoxha bëri të ditur se ka filluar edhe një projekt i katërt që është sinjalistika turistike.

Investimet në Përmet në kuadër të programit për ripërtëritjen e integruar të hapësirave në zonat turistike ku ndërthuret tradicionalja me modernen, mundësojnë risi për zhvillimin e ekonomisë lokale, punësimin e të rinjve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.