Plani i Veprimit 2021-2025/ Zero TVSH dhe taksa për biznesin e vogël, rritje e pagave me 40 % për bluzat e bardha, 30% për punonjësit e tjerë, 400 mijë lekë paga minimale

TIRANË, 7 prill /ATSH/ “Ne nuk kemi një program elektoral për t bërë qefin të gjithëve dhe të kapin ca të kapin, ne kemi një Plan Veprimi konkret”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij në Tepelenë.

“Kemi një plan veprimi që thotë se bizneseve të vogla, taksa dhe TVSH do të vazhdojnë t’ju qëndrojnë zero, siç janë sot deri në 2029 me PS. Kemi një Plan Veprimi që thotë se atyre që kanë një pagë  deri në 400 mijë lekë ne do t’ju heqim tatimin mbi pagën dhe do e kenë zero. Plani ynë i Veprimit thotë që vit pas viti do rrisim pagën minimale dhe brenda mandatit paga minimale do shkoj në 400 mijë lekë. Kemi një plan veprimi që thotë që brenda vitit 2022 do përmbyllet gjithë program kombëtar i furnizimit me ujë të pijshëm. Para se të vinim këtu ne pamë ujësjellësin e ri, 80 km,  i cili do të furnizojë me 24 orë ujë fshatra të tëra këtu në këtë zonë, në bashkinë e Memaliajt, ashtu sikundër në një pjesë të madhe furnizimi me ujë tanimë është realitet, nuk është një premtim”, theksoi Rama.

“Në planin tonë të veprimit ne kemi që mjekëve, infermierëve, mësuesve do ua rrisim përsëri pagat me 40 % ashtu sikundër do i rrisim me 30 % për gjithë punonjësit e tjerë. Në planin tonë të veprimit ne kemi që gjithë fëmijëve të Shqipërisë do t’u mësojmë në shkollë anglishten, duke e futur në program që në klasën e parë, në mënyrë që në bazë të vizionit tonë të 2030-ës gjithë kjo gjeneratë e re ta ketë anglishten një armë në dispozicion për të ardhmen. Në planin tonë ne kemi që do të hapim në çdo qendër urbane hap pas hapi duke filluar nga qendrat e qarqeve e më pas në qendrat urbane, qendrat për trajnimin e fëmijëve me teknologjinë e re, që të futen në botën dixhitale. Do vazhdojmë të dixhitalizojmë shërbimet, në mënyrë që mos të ketë më fare, askund nevojë për të vajtur nëpër zyra për të marrë shërbime, por të gjitha të merren nëpërmjet telefonit, kompjuterit më të afërt, siç merren një pjesë e madhe e tyre deri sot”, u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.