Për pak ditë hapim aeroportin e Kukësit/ Rama: Mbase kjo është arsyeja që shtynë Ilirin dhe Saliun në sulmin e çmendur në aeroportin e Rinasit

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për pak ditë do të hapet aeroporti i Kukësit, ndërsa hodhi dyshime se ky mund të jetë motivi që shtyu Ilirin (Metën) dhe Saliun (Berishën) në goditjen e çmendur ndaj aeroportit “Nënë Tereza”.

“Për pak ditë hapim aeroportin e Kukësit. Mbase edhe hapja e aeroportit të Kukësit ka qenë një nga motivet që shtynë Ilirin dhe Saliun në goditjen e çmendur ndaj aeroportit “Nënë Tereza”, duke bllokuar kullën e kontrollit dhe duke nxjerrë jashtë loje trafikun ajror mbi Shqipëri”, tha Kryeministri nga Tepelena, ku u takua me qytetarë në kuadër të turit elektoral për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit.

Po kështu, informoi ai, do të nisë edhe ndërtimi i aeroportit të Vlorës dhe shumë shpejt çelet gara për atë të Sarandës.

“Të gjitha këto porta do të sjellin njerëz, konsumatorë në vendin tonë. Të gjithë këta konsumatorë do të përhapin kudo lajmin gjithmonë e më shumë për të ardhur në Shqipëri, për të parë Shqipërinë, sepse ne e kemi parë, është vështirë për ata që nuk e njohin Shqipërinë të mendojnë të vijnë në Shqipëri, por ama e dimë shumë mirë se kush vjen këtu mahnitet dhe do të kthehet përsëri. Kjo është rruga jonë“, deklaroi Rama.

Ashtu sikundër, vijoi kreu i qeverisë, ne do ta bëjmë Shqipërinë një vend ku agroturizmi do të lulëzojë, turizmi i fshatit, i bujtinave, produkteve dhe traditës, turizmi i natyrës, që kaq shumë kërkohet nga të gjithë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.