Nisin punimet për ujësjellësin e ri për ujë 24 orë në Memaliaj/ 120 kantiere në të gjithë vendin

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Në Shqipëri janë në punë 120 kantiere për shtrirjen e rrjeteve të reja të ujësjellësi që do të garantojnë furnizimin me ujë 24 orë për qendrat urbane brenda vitit 2022.

Kështu u shpreh Kryeministri Rama në Memaliaj ku edhe aty vijon puna për shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit.

Në Memaliaj janë 32 kilometra rrjet kryesor totalisht i ri që do të sigurojë jo vetëm furnizim me ujë të pijshëm 24 orë, por edhe cilësi në ofrimin e shërbimit.

“Edhe këtu kemi një tjetër kantier që shtrihet më tutje. Përsëri përfitoj nga rasti t’ju tregoj të tjerëve, që i ndjekin gjërat nga të tjera vende dhe në distancë, që programi i ujit 24 orë nuk është program elektoral për çfarë vjen më pas, por është një plan në veprim prej disa vitesh, gjë që ka bërë që një numër i konsiderueshëm i bashkive të kenë ujë 24 orë, siç ka dhe Memaliaj dhe ndërkohë të mund të shtrijmë programin edhe në zonën rurale, duke garantuar financimet dhe duke lidhur kontratat. Janë 120 kantiere në punë sot në Republikën e Shqipërisë për shtrirjen e rrjeteve të reja të ujësjellësit”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Ndërkohë edhe rrjeti i brendshëm shpërndarës brenda çdo fshati në bashkinë Memaliaj prej 45 kilometrash do të bëhet krejt i ri.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se, “kemi lidhur një kontratë për një ujësjellës shumë të rëndësishëm për të gjithë zonën, që plotëson gjithë zonën e Memaliajt me furnizim 24 orë me ujë të pijshëm. Është një projekt gjigant, rreth 4 milionë dollarë”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.