Më 25 prill do vendoset se çfarë Shqipërie do kemi në 2030/ Haxhiqamilët i çuan shqiptarët në greminë

TIRANË, 7 prill /ATSH/ “Asnjëherë nuk bën ndryshe, sa herë iu dha mundësia të marrin një detyrë më shumë bën dëm sesa bën punë”, tha Kryeministri Rama, duke folur për opozitën gjatë fjalës së tij në Tepelenë.

“Ata janë ata që janë. Këtu në Tepelenë nuk mund të flasësh gjatë për ta se ju i njihni mirë dhe ua a keni treguar vendin gjithmonë, atëherë kur duhet, ashtu siç duhet dhe aq sa duhet. Por sidoqoftë ja ku janë përsëri po ata dhe dëgjoni çfarë thonë “para 8 vjetësh ndodhi në aksident”, dmth lajthiti populli, i hoqi ata nga zverku, ndërkohë që ata po bënin mrekullira. Kjo mjafton për të kuptuar ata, që jo vetëm nuk kanë reflektuar për ato që kanë bërë po duan të kthehen për të vazhduar të bëjnë po atë që bën”, tha Rama.

“Më thonë pse merresh ti me ata, ku është alternative juaj, flisni për programin tuaj. Programi ynë është vizioni ynë, është karakteri ynë, është puna jonë, vendosmëria dhe durimi ynë”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Rama pasi prezantoi Planin e Veprimit 2021-2025 në Tepelenë theksoi se, “ne kemi një plan veprimi, ndërsa ata kanë një program elektoral si të tyret, “çfarë je ti, je në punë? Po. Do të ulim sigurimet shoqërore. Po ti çfarë je pensionist? Do të rrisim pensionet. Dmth do ulin prodhimin e qumështit, do rrisin prodhimin e djathit. Ju prodhoni djathë këtu, dini ju si bëhet kjo? Kjo bëhet me sapun. Sapunin për djathë, kush ta hajë, ta hajë. Mbasi ta hanë tramvajin e Tiranës e të ikin e takohemi mbas katër vitesh. Nuk ka nevojë të zgjatemi me ta e aq më shumë me Lulin, se e keni dhe dhëndër në Tepelenë dhe nuk dua t’ju lëndoj. Megjithëse Tërmeti thotë ne dhëndurët i kemi për ujë, po sidoqoftë për ujë apo raki, apo raki për ujë, unë nuk po merrem sot me Lulin këtu, se e keni dhëndër. Po ka dhe më keq, imagjino të kishit dhëndër Saliun në Tepelenë, larg qoftë”.

“Mos harroni dhe një gjë më 25 prill do vendoset çfarë Shqipërie do kemi, jo për 4 vjet, por çfarë Shqipërie do kemi në 2030-ën. Do kemi Shqipërinë që është e ardhmja për fëmijët tanë, për të gjithë të rinjtë e të rejat, shtëpia që i bën ata krenarë jo vetëm për historinë, monumentet e kulturës etj., por për kushtet, apo do kemi prapë një rënie me këmbë përpjetë poshtë? Siç ka ndodhur sa herë shqiptarët kanë shkuar pas recetave çudibërëse. Haxhiqamilët kështu i çuan shqiptarët në greminë, edhe Xhaferrin e Suden me Saliun kuptohet krah për krah, kështu i çuan shqiptarët në greminë. Nuk bëhet me receta çudibërëse vendi, vendi bëhet me punë të madhe, durim të madh. Nuk ngjitesh dot në majën që ke vënë objektiv, nëse nuk ke vendosmërinë të durosh dhe të vazhdosh edhe kur rrëzohesh, të ringrihesh dhe të vazhdosh, jo të ndalosh e jo më të kthehesh mbrapa. Boll më me Gurin e Sizifit, ngjitu e bjerë poshtë. Ne jemi ngjitur në një pikë, maja është e lartë, e thepisur, rruga po ashtu, por ne duhet t’ia dalim dhe do ja dalim, siç ia ka dalë Tepelena dhe në ditët më të vështira, e jo më tani që ditët e mira janë përpara dhe më e keqja është pas nesh”, përfundoi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.