Greva e kontrollorëve në Rinas/ Mjeku i njohur, Faber: Zgjidheni situatën si Regani, pushojini nga puna dhe zëvendësojini me të tjerë; vaksinat duhet të vijnë

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Doktori i njohur, Edmond Faber reagoi sot lidhur me situatën që është krijuar në aeroportin e Rinasit, ku 65 kontrollorë të trafikut ajror kanë sabotuar punën.

Faber i bën thirrje Kryeministrit Rama dhe ministres Balluku që ta zgjidhin situatën siç e zgjidhi presidenti Ronald Regan në vitin 1981 në një situatë të ngjashme.

Regani asokohe i pushoi të gjithë 11359 kontrollorët që kishin bllokuar punën pasi kërkonin rritje rroge dhe i zëvendësoi ata me të tjerë, me kontrollorë të trafikut ajror ushtarak.

“5 Gusht 1981, Presidenti Ronald Reagan filloi pushimin nga puna të 11359 Kontrollorëve të Trafikut Ajror të cilët filluan një grevë duke bllokuar fluturimet në gjithë Amerikën. Kontrollorët kishin kërkesa të rritjes së pagës disa herë, etj., etj., të ngjashme me kërkesat e Kontrollorëve të Rinasit. A e dini si e zgjidhi Presidenti Reagan këtë situatë Belinda Balluku dhe Edi Rama? I pushoi nga puna pa të drejtë aplikimi në poste të ngjashme me Kontrollorin, dhe i zëvendësoi menjëherë me kontrollorë ushtarakë të trafikut ajror”, tha Faber.

Ai theksoi se aeroporti i Rinasit duhet të funksionojë, vaksinat duhet të vijnë në Shqipëri dhe njerëzit duhet të lëvizin lirshëm në Rinas.

“Ministria e Mbrojtjes duhet të marrë në kontroll trafikun ajror. Kjo duhet bërë urgjentisht”, tha Faber.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.