Greva e kontrollorëve në Rinas/ Balluku: Ushtria merr në mbrojtje kullën e kontrollit. Stërvitja e NATO-s do të zhvillohet

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se Ushtria po merr nën kontroll Kullën e Kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, pasi 48 nga 76 kontrollorët që kryejnë kontrollin e hapësirës ajrore shqiptare kanë deklaruar paaftësi për të kryer punën.

“Në Aeroport në këto momente ka shkuar Ushtria pasi është një ndërtesë e sigurisë së lartë, dhe duke qenë se nuk kryejnë funksionet, pra nuk janë në detyrë, e kanë braktisur detyrën por po mundohen të qëndrojnë në ndërtesë, do të merret në kontroll nga Ushtria. Kontrollorët që vazhdojnë të jenë në detyrë janë të respektuar”, tha Balluku.

Sipas ministres, nga 76 kontrollorë të licencuar, janë 48 kontrollorë që kanë dorëzuar një deklaratë paaftësie.

Ministrja Balluku deklaroi se shumë shpejt do të nisë të funksionojë trafiku ajror, pasi janë ngatërruar me qeverinë e gabuar.

“Këta njerëz mund të ishin në gjendje të kryenin edhe veprime të tjera që do të rrezikonin të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Balluku.

Sipas saj, Shqipëria do ta bëjë se s’bën provën ushtarake të planifikuar më 26 prill për të patur trupat e NATO-s në Shqipëri, ashtu sikundër, tha ajo, nuk do të lëmë qytetarët duke pritur nëpër aeroporte.

“Stërvitja e NATO-s Defender Europe 21 do të zhvillohet. Ne kemi një zgjidhje dhe nuk do të lejojmë që për një kastë dhe elitë, për të plotësuar tekat e tyre të penalizojmë të gjithë Shqipërisë, kërkon të penalizojë imazhin e saj dhe aq më pak të penalizojë marrëdhëniet tona me aleatët. Kallëzimi penal është bërë për ata që e kanë organizuar, jo për të gjithë, ata që e kanë organizuar do të shkojnë para drejtësisë, pasi nuk merret dot peng një vend”, tha ministrja.

Ministrja Balluku ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha duke e cilësuar si “qytetarin dixhital” që ka nxitur situatën e krijuar në Rinas për bllokimin e fluturimeve, pasi kontrollorët pezulluan punën.

“Roli i ‘qytetarit dixhital’, që shfaqet edhe si ‘kontrollori dixhital’ është nxitës. Qëllimi i tij është që shteti të dështojë, qytetarët të mërziten me shtetin, të krijohet pakënaqësi në çdo nivel, të bllokohet Shqipëria. Unë kam njoftuar aleatët”, tha Balluku.

48 kontrollorë të trafikut ajror të Albcontrol thuajse njëkohësisht kanë shpallur paaftësinë e tyre në punë, duke firmosur një dokument se kanë stres për shkak të kushteve të vështira financiare të tyre, që kanë ardhur si pasojë e uljes së pagës së tyre nga 4400 dollarë në 2400 dollarë si pasojë e pandemisë. Ky vendim ka sjellë edhe bllokimin e punës dhe pezullimin e të gjitha fluturimeve në aeroportin e Rinasit ditën e sotme.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.