Gjyqi ndaj Becchetti/Lufta kundër atij marifetçiu të paskrupullt vazhdon, s’do e lejojmë të fusë duart në xhepin e shqiptarëve

TIRANË, 7 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama foli sot nga Tepelena për gjyqin ndaj sipërmarrësit italian Francesco Becchetti, ndërsa deklaroi se “lufta kundër atij marifetçiu të paskrupullt vazhdon, se ai është një i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe nuk kemi për ta lejuar të fusë duart në xhepin e shqiptarëve”.

Rama tha se “Sali Berisha dhe Ilir Meta janë dy njerëzit më të gëzuar për një gjyq që ne e humbëm, pasi kemi fituar 3 të tjerë me një marifetçi të paskrupullt”.

“Ishin po këta, Ilir Meta dhe Sali Berisha me një gëzim të neveritshëm dhe ndërkohë me një përpjekje po kaq të neveritshme, për të nxitur dhe motivuar ata që janë ndjekësit e tyre me sytë dhe veshët top, por me mendjen tapë, nga dokrrat, broçkullat dhe helmi i tyre, duke arritur të shpërndajnë edhe trakte lart e poshtë natën në Tiranë se tani shqiptarët do paguajnë nga xhepi një gjobë 110 milionë. Unë nuk mund t’ju them si e qysh, unë mund t’ju them vetëm kaq, që ai marifetçiu bashkë me Ilir Metën dhe Sali Berishën do marrin atë që nuk thuhet, do marrin atë që nuk hahet, që mbetet por nuk hahet, asgjë tjetër nuk kanë për të marrë nga xhepi i shqiptarëve dhe nga Shqipëria, sepse lufta kundër atij marifetçiu të paskrupullt vazhdon. Ai është një i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe nuk kemi për ta lejuar të fusë duart në xhepin e shqiptarëve”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.