“Është marrë peng aeroporti ‘Nënë Tereza'”/ Kanë gjetur qeverinë dhe kryeministrin e gabuar për ta sfiduar me të tilla akte ekstreme

TIRANË, 7 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot akt të paimagjinueshëm, atë që ka ndodhur para pak orësh në Tiranë, ku sipas tij, “është marrë peng aktiviteti i aeroportit “Nënë Tereza” nga një grup i nxitur drejtpërdrejtë nga Ilir Meta dhe Sali Berisha”.

“Sali Berisha prej ditësh ka dalë hapur duke e nxitur këtë akt, ndërkohë që Ilir Meta ka hedhur gurin, një gur që quhet Leshko, nuk është simbolike, është reale, dhe që pasi ka fshehur dorën edhe ai e ka lënë vetvetiu pa dashje, ndoshta të kuptohet se është pjesë”, tha Rama nga Tepelena.

Kryeministri tha se “nuk ka shqiptar që nuk e kupton menjëherë si dhe pse Ilir Meta dhe Sali Berisha janë në këtë akt nxitës të drejtpërdrejtë në vazhdën e një përpjekjeje të dëshpëruar për të rrëzuar me çdo kusht qeverinë tonë, edhe shtetin po qe nevoja për rrëzimin e qeverisë dhe me këtë rast vrasin disa zogj me disa gurë, të bllokojnë vaksinimin”.

Rama tha se “sot duhet të mbërrinte sasia tjetër e vaksinave dhe kjo nuk do të jetë e mundur”.

“Por i kanë bërë llogaritë gabim, kanë gjetur qeverinë dhe kryeministrin e gabuar për ta sfiduar me të tilla akte ekstreme. Kanë shfrytëzuar një grup kokash të nxehta te kontrollorët e Albcontrol-it që kanë përfshirë në operacione dhe të tjerë që shpresoj shumë dhe u bëj thirrje të kthehen në detyrë para se të jetë vonë, një orë e më parë”, tha Rama.

Kryeministri tha se “është e paimagjinueshme që për të kërkuar të marrin një pagë në atë sistem ku janë të organizuar që nuk ka lidhje fare me buxhetin e shtetit, por që është ulur si rezultat i pandemisë që ka goditur kudo, më shumë se shumëkënd tjetër sektorin e transportit ajror, e kanë aktualisht mbi 2400 dollarë dhe nuk pranojnë të punojnë se duan të kenë pagën e plotë, sikur këtu nuk ka ndodhur asnjë gjë”.

Rama tha se “kjo nuk është e mundur dhe këtë nuk e zgjidh dot qeveria dhe buxheti i shtetit, se nuk ka lidhje me atë aktivitet”.

“I kanë bërë llogaritë gabim dhe shumë shpejt ne do ta rivëmë në kontroll situatën dhe plani i tyre për të bllokuar aeroportin me ditë të tëra mundësisht deri në zgjedhje, plani i tyre për të goditur në zemër një aktivitet vital, një pikë që lidhet me sigurinë kombëtare do të dështojë. Shqiptarët të mos e harrojnë edhe këtë akt, sepse bllokimi i aktivitetit të aeroportit në këtë moment, por në çdo moment bllokon ardhjen e vaksinave, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve, kthimin në atdhe të atyre që në këto kushte të vështira kanë nevojë të rikthehen, apo të ndonjërit që ka humbur jetën jashtë e duan ta sjellin trupin në atdhe, ashtu sikurse dhe të tjerë që kanë prerë biletën. Këta të gjithë nuk janë socialistë, janë socialistë, demokratë, me bindje të ndryshme dhe goditen po njësoj në emër të asaj politike smirëzezë, ogurzezë për Shqipërinë, ekonominë, të ardhmen e këtij populli”, tha Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.