“Certifikatë për Shërbime të Dalluara” për dy drejtues të lartë të Policisë

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i akordoi “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” drejtorit të departamentit për Shërbimet Mbështetëse, Theodhori Gravani dhe koordinatorit në Sektorin e Planifikimit Strategjik dhe Botimeve në DPPSH, Arben Nasufi.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke respektuar masat antikovid Veliu i dorëzoi Drejtuesit të Lartë Theodhori Gravani, “Certifikatën për Shërbime të Dalluara” me motivacionin: “Për merita të veçanta, profesionalizmin e treguar në përmbushjen e detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, në shërbim të ristrukturimit organizativ dhe modernizimit të gjithanshëm të organizatës së Policisë së Shtetit”.
Gjithashtu, Veliu i ka dorëzuar Koordinatorit në Sektorin e Planifikimit Strategjik dhe Botimeve në DPPSH Kryekomisar Arben Nasufi, Certifikatën për Shërbime Të Dalluara: “Për kontribut të çmuar të dhënë ndër vite, në rritjen e standardeve të rendit dhe të sigurisë publike, si dhe në procesin e hartimit të dokumenteve strategjike të Policisë së Shtetit”.
Drejtori i përgjithshëm Veliu ka falënderuar Gravanin dhe Nasufin për profesionalizmin e tyre dhe kontributin e dhënë në rritjen e standardeve dhe modernizimin e Policisë së Shtetit.
Gravani dhe Nasufi gjatë fjalës së tyre kanë falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm për vlerësimin e kontributit që ata kanë dhënë në Polici gjatë karrierës së tyre, si dhe kanë falënderuar kolegët për mbështetjen./k.s/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.