Bushati: Me këto ritme vaksinimi hapemi në fund të majit, lufta ndaj pandemisë prioritet

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Kryetari i PS-së në Tiranë, Ervin Bushati u shpreh se procesi i vaksinimit antikovid po ecën shumë mirë dhe sa më shpejt e mirë të ecë ky proces, aq më shumë do të hapet shoqëria.

Bushati theksoi në një intervistë televizive se Shqipëria është një vend që me shifrat e fundit po bën vaksinimin më të shpejtë në Europë në raport me popullsinë.

“Ne si mazhorancë përpiqemi që t’u rrimë pranë qytetarëve me problematikat që hasen përditë. Mendoj se procesi i vaksinimit po ecën shumë mirë dhe sa më shpjet e mirë të ecë ky proces aq më shumë do të hapet shoqëria. Nëse ky proces ecën me këtë ritëm në fund të majit mund të kthehemi në normalitet”, theksoi Bushati.

“Turizmi dhe shoqëria janë të lidhur me hapjen e shoqërisë dhe me vaksinimin. Mendoj se Shqipëria ka arritur sot të bëjë atë që para 1 viti ishte e paimagjinueshme. Besoj se për 50-60 ditë do të arrijmë që të bëjmë që vendi ynë të jetë një vend tjetër në qershor. Çdo qeveri në botë këtë detyrë ka sot, vaksinimin e popullsisë dhe luftë ndaj Covid për të hapur shoqërinë dhe ekonominë”, vijoi Bushati.

“Sot ka vende në zhvillim apo të vogla që nuk e kanë siguruar vaksinën. Kjo ka qenë një detyrë e secilit shtet. Ne jemi një vend që me shifrat e fundit po bën vaksinimin më të shpejtë në Europë në raport me popullsinë”, u shpreh ai.

Bushati shtoi se lufta me pandeminë nuk është një përdorje politike, por një detyrë e gjithë qeverisë ashtu si në të gjithë botën.

“Lufta e pandemisë është një prioritet në çdo vend. Nuk është politike, por është një detyrë e gjithë qeverisë për këtë sfidë. Tërmeti dhe pandemia janë mbivendosur. Kjo është lufta e tretë botërore sepse sipas shifrave ka qenë rënia më e madhe ekonomike qysh pas Luftës së Dytë Botërore”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.