BSH: Sistemi bankar i qendrueshëm në 6-mujorin e dytë 2020

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e ditës së mërkurë Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë 2020, një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar.

Në raport, Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme.

Ndërmjetësimi financiar vijoi me ritme të mira, cilësia e kredisë u ruajt në nivele të pranueshme, depozitat u rritën në mënyrë të ndjeshme dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme.

Masat publike në fushën fiskale, monetare dhe prudenciale, ndihmuan në ecurinë e kreditimit, zbutën goditjen e pandemisë dhe ndihmuan në kontrollin e rreziqeve.

Megjithë pritjet për një ecuri më të qëndrueshme drejt daljes nga pandemia, banka qendrore vlerëson se pasiguritë mbeten të konsiderueshme. Banka e Shqipërisë kërkon që bankat të vazhdojnë të ruajnë vigjilencën, veçanërisht në lidhje me monitorimin e afërt të aftësisë paguese të klientëve të tyre huamarrës. Si edhe më parë, Banka e Shqipërisë, është shprehur e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Në mbledhjet e sotme, Këshilli Mbikëqyrës miratoi edhe rregulloren “Për njohjen kontraktuale të kompetencave të zhvlerësimit dhe konvertimit”. Sipas njoftimit zyrtar, kjo rregullore i shërben plotësimit në vazhdimësi të kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë në zbatim të dispozitave të ligjit nr.133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në Banka në Republikën e Shqipërisë”.

Nëpërmjet zbatimit të saj synohet që të përcaktohen elementët që duhet të përmbajë dispozita kontraktore në lidhje me njohjen kontraktuale të ushtrimit nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme të kompetencave të zhvlerësimit dhe konvertimit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.