Brataj: Ulje e numrit të vizitave dhe shtrimeve për COVID-19

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj bëri me dije sot, në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve se thirrjet tek 127 vijojnë të jenë konstante.

“Thirrjet tek 127 vijojnë të jenë konstante, janë 1700 në 24 orët e fundit. Ajo që vihet re është se numri i vizitave për COVID ka rënie. Numri për qarkun e Tiranës me qarqet e tjera është barazuar, pra ka një rritje në qytetet e tjera. Edhe numri i shtrimeve vijon të jetë në ulje, gjë që tregon për një ulje të të gjithë indikatorëve. Ka 3-4 fshatra që i janë shtuar së fundmi listës së qyteteve me infektime, pra ka zona të largëta të reja të prekura nga COVID-19”, tha Brataj.

Ndërsa prof. Mira Kola, duke folur për rastet e infeksioneve në moshat pediatrike tha se “në dy javët e fundit moshat pediatrike sa i përket infeksioneve të Sars-Cov 2 dhe shtrimeve në spitale kanë rënie dhe ajo që është më e rëndësishme është se nuk kemi raste që vijnë në terapi intensive, që vijnë me komplikacione të rënda ose fatalitete”.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.