Basha në Peqin: Ndryshimi do të thotë vende pune, paga dinjitoze, subvencione për fermerët

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndodhet në qytetin e Peqinit ku tha se “8 vite Edi Rama me bandat e tij, i ka ulur kokën, i ka keqtrajtuar, i ka fyer, i ka marrë nëpër këmbë njerëzit e Peqinit”.

Basha kërkoi votën për Partinë Demokratike mё 25 prill, për t’i hapur rrugë ndryshimit duke sjell standarde europiane në ekonomi, vende pune, paga dinjitoze, subvencione për fermerët.

“Për vite më radhë kam patur nderin të jem në mesin tuaj si deputet i qarkut të Elbasanit, pra edhe si deputet i Peqinit. Bashkë njihemi edhe sepse jemi takuar shpesh, por edhe sepse na kanë lidhur hallet, problemet, sfidat, planet, zgjidhjet dhe sa herë që marr rrugën nga Tirana ën Elbasan. Sa herë mendon që distanca midis qendrës së Tiranës dhe Kullës së Sahatit të Peqinit është bërë katër herë më e shkurtër për shkak të tunelit të Elbasanit, kupton se sa e pandalshme është fuqia jonë kur jemi bashkë”, u shpreh kreu i PD.

“Sot kam ardhur  t’ju them le të bëhemi edhe njëherë bashkë, dita e ndryshimit po afron. Peqini do ndryshim, Elbasani do ndryshim, Shqipëria do ndryshim. Dhe ndryshimi që po vjen është përfundimi i rrugës që kemi nisur bashkë duke e çuar Shqipërinë drejt Europës, duke sjell standardet europiane në ekonomi që do të thotë vende pune, do të thotë paga dinjitoze, do të thotë subvencione për fermerët dhe do të thotë që asnjë bir dhe asnjë bijë Peqini nuk do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike. Sepse ne do të mundësojmë që rinia e Peqinit dhe e Elbasanit të kualifikohet dhe të punësohet dhe të ndërtojë jetën e vet këtu në Peqinin tuaj të bukur, në Shqipërinë tonë të dashur”, tha Basha.

“E keqja që ka zaptuar ekonominë, që ka zaptuar vatrat tona, i ka orët e numëruara. Tmerri dhe frika që ka kapur nga revolta popullore, nuk fshihet dot as me teatër, as me cirk, as duke përsëritur të njëjtat premtime që ka bërë për 8 vite me radhë. Ke premtuar për 8 vite dhe ke gënjyer për 8 vite dhe vjen prapë të kërkosh edhe katër vite të tjera, shqiptarët e dinë fare mirë se çfarë i bëhet atij njeriu, i mbyllet dera në fytyrë, i thuhet boll më, ik, largohu!”, theksoi Basha.

“Këtu do të kthehem te kulla e sahatit si kryeministri juaj i ardhshëm për të shijuar së bashku punësimin, mirëqenien, rritjen e të ardhurave dhe ndryshimin që do të përfshijë çdo familje të Peqinit, të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë! Nga të rinjtë dhe te rejat tek pensionistët të cilët kanë sakrifikuar një jetë të tërë, nga fermerët tek sipërmarrja tek investimet, tek shkollat dhe në çdo fushë të jetës, familjet me ndihmë ekonomike do ta ndjejnë ndryshimin”, tha Basha.

“Sepse që ndryshimi të ndodhë, duhet të zbatohet plani ekonomik i cili mundëson që ato miliarda euro që ua marrin nga xhepat tuaj si taksa çdo ditë, me gjobat, me faturat, me çmimin e energjisë më të lartin në Europë, me çmimin e naftës më të lartin në botë, ato para ua japin oligarkëve. Dhe ndryshimi do të vijë, sepse qeveria dhe unë, ato para do i kthejë tek zotërit e vërtetë që jeni ju, me investime, me punësim, me rritje pagash dhe pensionesh dhe kujdes të vërtetë shëndetësor”, tha Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.