Basha në Elbasan: Ora e ndryshimit po afron

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot nga Elbasani, se “ora e ndryshimit për çdo fëmijë shqiptar, për çdo familje shqiptare po afron”.

“Dita ka nisur e bukur dhe me diell në Peqin dhe Dumre, por do të mbyllet me bereqet në Elbasan, në zemrën e historisë së arsimit shqiptar. Kthehem sot për të diskutuar me përfaqësues të arsimit shqiptar një plagë që e ndieni në zemrat e familjet tuaja”, tha Basha.

Ai u ndal te “reforma e thellë arsimore që do të ndërmarrë PD. Nuk ka vend më të përshtatshëm se Elbasani i Normales, Elbasani i arsimit, Elbasani i dijes dhe i kulturës, për të patur këtë diskutim me mësuesit tanë, me prindërit e dytë të fëmijëve tanë me një zotim: 25 prilli do të jetë ditë ndryshimi për çdo fëmijë shqiptar, për çdo familje shqiptare”, tha ai. /m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.