Basha me të rinjtë në Belsh: Qeveria, asnjë zgjidhje për universitetet gjatë pandemisë

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Në vizitën e tij në qytetin e Belshit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinj të këtij qyteti.

Problematika si papunësia pas përfundimit të studimeve, emigrimi masiv, dështimi i mësimit online dhe ligji për arsimin e lartë, ishin shqetësimet që ngritën të rinjtë.

Basha tha se qeveria ka dështuar në çdo fushë për 8 vite me radhë dhe ata që e kanë pësuar këtë dështim janë edhe studentët.

Sipas tij, qeveria nuk ka dhënë asnjë zgjidhje për universitetet gjatë pandemisë dhe këtë e shohim tek paradoksi i urbaneve plot dhe auditorëve bosh.

Ai gjithashtu përsëriti zotimin e tij se Partia Demokratike edhe pse në opozitë, ka ndërtuar një plan që parashikon kthimin e mësimit në auditorë dhe digjitalizimin me tableta në dispozicion të studentëve.

Po ashtu, sipas Bashës, me marrëveshjen e bashkëpunimit me Aleancën e Universiteteve Europiane do garantohet dhe kursi falas për gjashtë gjuhë të huaja, si dhe do t’u mundësojë studentëve praktika profesionale dhe mundësi punësimi me paga dinjitoze.

“Jo vetёm nё auditorë por nё çdo aspekt tjetër tё jetës kjo qeveri ka dështuar nё menaxhimin e pandemisë. Kjo nuk habit mё askënd, sepse dështimi me pandeminë, ёshtё dështimi i fundit. Ka 8 vjet qё dështohet nё çdo fushë”, tha Basha.

“Prej 1 shtatorit pesë gjuhë të huaja do të jenë disponibël për të gjithë studentët shqiptarë. Në fakt, për të gjithë shqiptarët nën moshën 35 vjeç pa pagesë online: anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja dhe spanjishtja. Pra, edhe në opozitë ne nuk jemi mjaftuar me hartimin e planit, por kemi gjetur dhe partnerët me të cilët do t’i bëjmë këto plane realitet dhe në fushën e digjitalizimit partnerët tanë janë europianë, janë amerikanë, është vetë Bashkimi Europian. 5 kurse pa pagesë, sigurisht do të kontribuojë shteti, qeveria për të gjithë të rinjtë që të mësojnë gjuhën e huaj dhe 20 trajnime profesionale online”, tha Basha.

“Taksa do të ulet, do jetë taksa 9 %, jo 15 % sa është sot. Më 25 prill kjo merr fund. Ne kemi tashmë lidhjet, kemi kontaktin, kemi planet dhe jemi gati për t’i vënë ato në zbatim. Ajo që na duhet është që më 25 prill t’i japim fund 8 viteve stanjacion, 8 vite të premtimeve të pambajtura, 8 viteve dështime. Të bëhemi pjesë, të bëheni ju në veçanti rinia, pjesë e ndryshimi të madh që ka ardhur në zemrat e shqiptarëve dhe që do bëhet realitet me votë me 25 prill”, tha Basha.

Kreu i opozitës tha se ligji për  arsimin e lartë do të anulohet për t’i lënë hapësirë ligjit të ri i cili po punohet dhe që do të mundësojë autonominë e universiteteve, do të lehtësojë kërkimin shkencor.

Pjesë e planit është edhe mbulimi i tarifave 100 % nga shteti për të gjithë studentët me të ardhura nën 640 mijë lekë dhe stazhe të paguara nga shteti për të garantuar lidhjen mes tregut dhe studentëve.

“Ky ligj do të anulohet dhe puna ka nisur për një ligj të ri. Ligji i ri do ti japi universiteteve autonomi në vendimmarrje. Ligji  i ri do ta bëj shumë më të thjeshtë për pedagogët që të angazhohen në kërkim shkencor dhe që të angazhojnë studentët po kështu në mënyrë aktive në atë që sapo e shpjegova më parë është trajnimi dual. Pra gjysma të jetë teori gjysma praktikë. Ligji i ri do të bëjë të mundur po kështu që asnjë i ri apo e re të mos mbetet pa studiuar për faktin e dhimbshëm se familja s’paguan dot tarifat”, theksoi Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.