Basha me fermerët në Pajovë: Subvencionet do vijnë tek ju pa burokraci

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Kreu i opozitës, Lulzim Basha, në vizitën e tij në qytetin e Peqinit, është ndalur në fshatin Pajovë ku ka biseduar me fermerë të këtij fshati.

Basha tha se gjendja e keqe e fermerëve e 8 viteve të fundit, është për shkak të qeverisë që nuk ka alokuar subvencione as sa vendet si Maqedonia e Veriut dhe Kosova, që kanë buxhet më të vogël se Shqipëria.

Ai tha se vota e 25 prillit për Partinë Demokratike, mundëson vit për vit, minimalisht 100 milionë euro subvencione mbështetje drejtpërdrejt për fermerët. Paratë do shkojnë nga buxheti i shtetit te fermeri jo nëpërmjet burokracive dhe pa qenë nevoja për Nipt.

Ai gjithashtu tha se fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë do të shkojnë tek fermeri dhe jo për afera si ajo e Beketit apo koncesione korruptive.

“S’kanë dëshirë, s’kanë vullnet. Se fondet… ja ku i ka Maqedonia, buxheti njësoj si tonin, vend edhe më i vogël se i yni. Ja ku është Kosova, shtet shumë më i ri, i njëjti komb, e njëjta racë. Të dy këto vende, japin 100, 120 milion euro subvencione për fermerët, që është abc-ja. Se pa dhënë subvencionet, një herë në radhë të parë ti e ke nxjerr fermerin jashtë tregu. Këto produkte që kam para syve, që ta bëjnë me zili, të freskëta, të mira, të shijshme, që vijnë drejtpërdrejtë nga toka jonë, siç janë prodhime të kësaj toke, duhet të jenë në tregun e Peqinit, të Elbasanit, të Tiranës, duhet të certifikohen e duhet të jenë në tregjet e Bashkimit Europian”, tha Basha.

“Në fakt jam i bindur si këtu, ashtu dhe në Myzeqe, edhe në Devoll, edhe në Jug, edhe në Veri, një pjesë e madhe e këtyre prodhimeve kalben ose hidhen. Pse hidhen? S’ka treg, se kështu e thotë fermeri me tre fjalë e thotë, s’ka treg, nuk ka treg. Por në fakt nuk ka treg, fsheh një dramë shumë të madhe, se tregu aty është, njerëzit kanë nevojë për këto produkte, po në atë treg vijnë produkte të subvencionuara të fermerëve jo shqiptarë, jo nga Shqipëria dhe normalisht që konsumatori që i ka xhepat më bosh se kurrë në këto 30 vite, do të shkojë të blejë produktin më të lirë”, tha Basha.

“Inflacioni e ka bёrё punën e vet, çmimet janë rritur. Nё tërësi sot çmimet janë 40 % mё tё larta se para 8 vitesh. Po rrogat, pagat, pensionet janë rritur me pikatore nё rastin mё tё mirё ose s’janë rritur fare. Kёshtu qё dhe konsumatori çfarë do bёjё, do tё shkojë tё marrё produktin mё tё lirё edhe merr njё sasi minimale”, vijoi Basha.

“Taksat janë rritur, çmimi i naftës ёshtё rritur, çmimi i energjisë ёshtё rritur, gjobat kërcasin pёr çdo gjё. Kanё shpikur pёr çdo gjё gjoba, si e si pёr t’ua bёrё jetën mё tё vёshtirё njerëzve. Atëherë cila ёshtё zgjidhja, sepse lekët nё buxhet shkojnë, këto lekë tё taksave, faturave tё dritës, faturave tё shtuara, dhe taksave tё shtuara tё naftës nё buxhet shkojnë. Problemi ёshtё qё nga buxheti nuk vijnë prapë tek njerëzit. Nuk bëhen as rrugё e as ujësjellësa, as vaditje e as subvencione. Kjo qeveri i ka lekët, por nuk ka dëshirën, sepse nuk ka vëmendjen, se nuk ia ndjen pёr qytetarin e thjeshtë e aq mё pak pёr fermerin shqiptar”, tha Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.