Balla: Vota e demokratëve të Elbasanit nuk e shpëton dot varkën e mbytur të Lulit

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanin, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me banorë të rajonit numër 2 në Elbasan.

Në hyrje të fjalës së tij, Balla tha se qytetarët e Elbasanit nuk duhet t’i votojnë më Ilir Metën dhe Sali Berishën, pasi gjithmonë e kanë përdorur këtë qytet për “baltën e tyre politike”.

“Edi Rama e mori qeverisjen e vendit në 2013, jo në 1992. Nga ’92 e mbrapa kemi vetëm Saliun dhe Ilirin. Këta të dy nuk mund të votohen më në Elbasan. Ndërsa ne kemi arritur sadopak të shërojmë plagët që na solli pandemia. Kemi shpërndarë në Elbasan plot 12500 paga lufte. 6.7 milionë dollarë ka qenë ndihma direkte e qeverisë. Fondi i ndihmës ekonomike për bashkinë e Elbasanit është gjashtëfishuar në krahasim me 2013-ën”, tha Balla.

Teksa u ndal tek investimet e bëra nga qeveria Rama në Elbasan, Balla riktheksoi se në 4 vitet e ardhshme destinacioni kryesor duhet të jetë ky qark.

Më tej, ai u bëri thirrje opozitarëve të heshtin e të mos e fyejmë më punën e bërë nga PS, ndërsa u ndal edhe tek pensionistët.

“Ne kemi arritur sot shifrën e 10 mijë pensionistëve të vaksinuar në Elbasan. Nga kjo kemi nxjerrë një mësim që kohë të vështira duan udhëheqës të fortë. Duhet t’i japim timonin Edi Ramës i cili ka treguar që timonin e Shqipërisë e mban në anën e duhur të historisë”, tha Balla.

Balla iu drejtua edhe demokratëve të Elbasanit, për të cilët tha se vota e tyre nuk mund të shpëtojë dot varkën e mbytur të Lulzim Bashës.

Sa i përket taksës 0 për bizneset e vogla, Balla tha se PS është e vetmja parti politike që e ka mundësuar këtë arritje.

“Duhet t’i themi çdo biznesi të vogël voto për Edi Ramën, për Taulantin, për Partinë Socialiste, se vetëm kështu do të jesh i mbrojtur mos të të vijnë tek dera lloj-lloj inspektori. Një inspektor nga Nard Ndoka, një nga Agron Duka, një nga Dash Shehi, një nga Shpëtim Idrizi”, tha Balla.

Në fund të fjalës së tij, Balla tha se në 4 vitet e ardhshme synohet që numri i të punësuarëve në sektorin privat të shkojë minimalisht në 60 mijë.

“Numri i bizneseve që po vijnë të investojnë në Elbasan është çdo ditë dhe më i madh. Vetëm kështu mund ta luftojmë papunësinë”, përfundoi Balla.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.