Xhudistët, të ftuarit e parë të Osmanit në Presidencë: Ambasadorët tanë më të mirë

PRISHTINË, 6 prill/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot të ftuarit e saj të parë në Presidencë pas marrjes së detyrës.

“Të ftuarit e mi të parë në Presidencë ishin ato e ata që lartësuan flamurin e Kosovës aty ku nuk arrinte dot as politika as diplomacia. Ka disa vjet që xhudistet e xhudistët e Kosovës janë bërë ambasadorët tanë më të mirë”, tha Osmani.
“Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Akil Gjakova dhe shumë të tjerë jo vetëm që kanë korrur suksese historike në këtë disiplinë sportive, por kanë ngritur flamurin dhe nderuar himnin e Kosovës edhe në vende që akoma nuk e kanë njohur Kosovë.
Këta janë pjesa më pozitive e rrëfimit për Kosovën kudo në botë”, vijoi Osmani.
“Këta janë krenaria e kombit tonë. Me rezultatet e tyre e kanë vendosur Kosovën në hartën e botës ndaj u jemi mirënjohës secilit nga ta! Shpirti garues i xhudisteve e xhudistëve tanë mban mbi supe shpresën e rinisë sonë se asgjë nuk është e paarritshme dhe se me përkushtim, punë, pasion e disiplinë ëndrrat bëhen realitet”, tha presidentja Osmani. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.